Alarm për klimën, planeti drejt ngrohjes me 2.7°C deri në fund të shekullit

Bota po shkon drejt një tejkalimi të rrezikshëm të pragjeve të temperaturës globale, ndërsa dështimi i qeverive për të ulur emetimet e gazeve serrë po rrit rrezikun e katastrofave klimatike. Paralajmërimi vjen nga një analizë e Climate Action Tracker, sipas së cilës, nëse vijojnë politikat aktuale, temperatura mesatare globale mund të rritet me 2.7°C deri në fund të këtij shekulli, krahasuar me periudhën paraindustriale.
Ky parashikim është edhe më shqetësues se ai i vitit të kaluar, kur rritja e pritshme e temperaturës vlerësohej në 2.6°C.
Skenari i parashikuar do të nënkuptonte tejkalimin e objektivit prej 1.5°C, për të cilin vendet ranë dakord në kuadër të Marrëveshjes së Parisit. Shkencëtarët paralajmërojnë se çdo rritje shtesë e temperaturës do të përkeqësojë pasojat e ndryshimeve klimatike, duke sjellë valë më intensive të të nxehtit, thatësira, stuhi dhe përmbytje.
Edhe në skenarin më optimist, ku të gjitha angazhimet dhe objektivat klimatike të shpallura nga shtetet do të përmbusheshin, planeti pritet të ngrohet me rreth 1.9°C deri në fund të shekullit.
Raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive. Investimet në energjinë e pastër janë tashmë dy herë më të larta se ato në karburantet fosile, përdorimi i automjeteve elektrike po rritet, ndërsa shpyllëzimi në Amazonën braziliane ka shënuar rënie të ndjeshme.
Megjithatë, këto zhvillime konsiderohen të pamjaftueshme për të shmangur pasojat më të rënda të krizës klimatike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




