Hungaria i hapi rrugën Suedisë për anëtarësimin në NATO, Begaj: Aleanca është tani më e fortë dhe më e bashkuar

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pasi Hungaria i hapi rrugën anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke i uruar mirëseardhjen Stokholmit në Aleancë. Në një postim në Twitter, Begaj shkruan se me anëtarësimin e Suedisë, NATO do të jetë edhe më fortë dhe e bashkuar.

“Mirë se vjen, Suedi, si shteti i 32-të anëtar i NATO-s. Aleanca jonë është tani edhe më e fortë dhe e bashkuar, duke forcuar sigurinë dhe vlerat tona kolektive”, shkruan Begaj.

Po ashtu edhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani përshëndeti anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Parlamenti i Hungarisë miratoi me shumicë dërrmuese ofertën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n të hënën, duke hapur rrugën për pranimin e vendit nordik në aleancë pas gati dy vjet negociatash intensive. Marrja e miratimit nga parlamenti hungarez ishte pengesa e fundit për anëtarësimin e Stokholmit në NATO.

Suedia do t’i bashkohet zyrtarisht aleancës pasi të dorëzojë instrumentin e saj të anëtarësimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila është depozituesi i Traktatit të Atlantikut të Veriut.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme