“T’i rikthehemi jetës në parlament”, Jorida Tabaku: Rrit llogaridhënien

Politikë | 3 vite më parë

Kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku do të ndjekë çështjen e ligjit të zonave të mbrojtura derisa të sigurohet që do të shkojë më Gjykatën Kushtetuese. “Është një ligj korruptiv”- tha ajo për emisionin “Pa Censurë”. Argumentat kryesore që ajo sjell lidhen me ndërtimin në zonat e mbrojtura. “Ligji është korruptiv dhe klientelist, sepse lejon që në zonat e mbrojtura të ketë ndërtime. E shoh të lidhur këtë edhe me ligjin e investimeve strategjike, që i zgjatet sërish afati. Nuk do ta ndaloj betejën për këtë ligj. Shoqatat e mbrojtjes së mjedisit do t’i drejtohen presidentit. Unë do t’i kërkoj të gjithë kolegëve të PD të grupit ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Përveçse është në shkelje të ligjeve të BE-së dhe MSA, është edhe në shkelje të Kushtetutës.”- tha zonja Tabaku, duke ngritur pyetjen se çfarë do të kishte ndodhur, nëse PD do të merrte pjesë në parlament normalisht.

“Ata do ta kishin votuar, sepse ne nuk i kemi votat për ta ndaluar, por askush nuk do të kishte bërë këtë proces kaq shpejt. Do të kisha mbledhur në Komisionin e Intevrimit të gjithë shoqatat për dëgjesë”.- tha ajo për RTSH. Prandaj, është shumë e rëndësishme për Kryetaren e Komisionit të Integrimit që PD t’i rikthehet jetës parlamentare për të ndihmuar llogaridhënien dhe transparencën. “Në 2019-ën nuk fituam asgjë, kur dolëm nga parlamenti. Detyra jonë është të bëjmë opozitë, të bëjmë transparencë. Të shoqërojmë aksionin në parlament me aksionin në protestë, tek njerëzit dhe kudo. Ndërsa tani, ky pushtet arrogant po kalon pa procedurë, pa llogaridhënie, pa transparencë gjithçka që ka për të kaluar. Ne nuk i ndalojmë dot me votë, por ne të flasim, kërkojmë llogari, ndërgjegjësojmë njerëzit. Grupi parlamentar duhet të përdorë çdo hapësirë, duhet të përdorë parlamentin, duhet të përdorim çdo forum.”- tha zonja Tabaku për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme