Baçi-Beqirit: Protesta ishe gjigante. Sot, ju jeni zhgënjyer!

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka deklaruar në studion e emisionit “3D” nga Alban Dudushi se protesta e Rithemelimit në këtë 20 shkurt ishte një konfirmim i mbështetjes ndaj grupimit politik që ai bën pjesë.
Duke debatuar me avokat Idajet Beqiri, Baçi theksoi se numrat e pjesëmarrësve të sotëm në protestë treguan se kush dominon në kampin opozitar.
“Faktet flasin vetë. Unë asnjëherë nuk e kam pasur kompleksin e numrave dhe protesta nuk përcaktohet nga numrat por edhe numrat kanë rëndësinë e vet.
Në këtë situatë ku ishte Partia Demokratike, një luftë të brendshme dhe me një sulm të jashtëm të fuqishëm shoqëruar me dy vite e ca, protesta e sotme ishte vërtet gjigante, përveç asaj që z. Beqiri flet dhe bën mirë që i zvogëlon numrat dhe del para qytetarëve ashtu siç duhet të dalë dhe ashtu siç janë.
E di mirë që sot ju jeni të zhgënjyer dhe të mërzitur dhe kur them këtu që faktet flasin ndryshe dhe janë me mijëra qytetarë dhe janë qytetarë, nuk janë thjesht anëtarë të Partisë Demokratike”, u shpreh Baçi.
Duke iu referuar pjesëmarrësve në protestën e grupimit të Rithemelimit, Baçi nënvizoi se tashmë nuk duhet të zvarritet nëpër gjykata legalizimi i Partisë Demokratike.
“Janë qytetarë që kanë protestuar aty në shesh dhe kanë treguar që opozita dhe Partia Demokratike janë këtu, dhe opozita është më e fuqishme se kurrë.
I treguam edhe opinionit ndërkombëtar dhe atij kombëtar që të mos zvarritin më legalizimin e Partisë Demokratike, sidomos gjyqësorit të famshëm të kontrolluar nga Rama”, shpjegoi Baçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



