Çështja “Beleri”, Hasani nga Brukseli: Nuk është çështje europiane, por e drejtësisë shqiptare

Çështja “Beleri” është një çështje që i përket drejtësisë dhe jo qeverisë shqiptare dhe si e tillë duhet lenë drejtësia të bëjë punën e vetë. Këtë mesazh dha ministri i Jashtëm Igli Hasani nga Brukseli gjatë takimit të 17-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
I pyetur gjatë takimit se pse Fredi Beleri nuk lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës, Hasani tha se kjo është një çështje e drejtësisë dhe jo e qeverisë duke shtuar se “koha kur qeveria ndërhynte në punët e drejtësisë ka përfunduar”.
Ministri Hasani tha se çështja “Beleri” nuk është një çështje evropiane që të diskutohet në këtë takim, por një çështje e drejtësisë që nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
“Unë do të doja të shmangia komentet që lidhen me këtë çështje. Çështja Beleri është në duart e drejtësisë së Shqipërisë të cilët kanë lirinë e plotë të hetimit dhe qeveria shqiptare nuk ndërhyn në punët e drejtësisë. Çdo institucion i drejtësisë në Shqipëri do të vijojë të jetë i pavarur dhe do të lejohet të bëjë punën e tij i pavarur. Unë shpresoj që ky pozicion i qeverisë jo vetëm të kuptohet por edhe mbështet me respektimin e drejtësisë në vend. Çështja Beleri është e çështje e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe duhet të trajtohet e tillë dhe nuk është çështje europiane. Koha kur qeveria ndërhynte në punët e drejtësisë ka përfunduar”, tha Hasani.
Arrestimi i Fredi Belerit dhe mosbetimi i tij si kryetar i Bashkisë Himarë ka shkaktuar një përplasje deklaratash mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku Athina Zyrtare kërkon lirimin dhe betimin e tij. Nga ana tjetër qeveria shqiptare shprehet se kjo çështje i përket drejtësisë dhe jo politikës.
Fredi Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve vendore dhe ndodhet në paraburgim me akuzën e blerjes së votave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




