Nikolla pret ambasadorin e BE: Kuvendi po punon për forcimin e dialogut politik, i shërben integrimit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka pritur në takim Ambasadorin e ri të BE, Silvio Gonzato, ku në fokus ka qenë pikërisht avancimi me reformat për integrimin e vendit dhe rolin kryesor që ka Kuvendi në këtë proces përmes dialogut politik mes palëve.
Nikolla i uroi Ambasadorit Gonzato suksese në misionin e tij në Shqipëri dhe shprehu besimin se, nën lidershipin e tij, bashkëpunimi i Kuvendit me Delegacionin e BE-së në Tiranë dhe institucionet europiane do të vijë duke u rritur.
“Kuvendi po punon për lehtësimin dhe forcimin e dialogut politik mes palëve, për të përballuar bashkërisht sfidat e integrimit europian, të aspekteve politike e teknike të procesit të negociatave. Bashkëpunimi mes grupeve parlamentare në Kuvend do të lehtësojë edhe avancimin dhe thellimin e reformave, modernizmin e procesit të ligjbërjes dhe rritjen e transparencës së veprimtarive parlamentare”, tha Nikolla.
Ambasadori Gonzato vlerësoi ecurinë shumë të mirë të procesit të screening dhe performancën e lartë të institucioneve shqiptare në bashkëpunimin me institucionet e BE-së.
Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori Gonzato diskutuan edhe për bashkëpunimin e Kuvendit me Parlamentin Europian dhe institucionet e BE-së për modernizimin e shërbimeve parlamentare, për të përballuar më mirë sfidat e Kuvendit për thellimin e reformave dhe procesin e integrimit europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




