PD, Dedgjonaj: Duhet ndërhyrje urgjente në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Lezhë

Politikë | 3 vite më parë

Sekretarja për Pushtetin Vendor dhe Decentrali­zimin në PD, Alfrida Marku Dedgjonaj reagoi të shtunën mbi situatën e furnizimit me energji elektrike në Lezhë që e cilësoi problematike.

Sipas saj, “në çdo njesi administrative, sidomos në Zejmen, Kolsh, Balldre, Shëngjin, Shënkoll, sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike nuk përballon përkeqësimin minimal të kushteve atmosferike”.

‘Rrjeti i shpërndarjes së energjisë është i amortizuar! Banorët dhe bizneset, në qytet dhe fshat, po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike. Në 5 vitet e fundit, ministrat, deputetet e rilindjes dhe OSHEE, kanë propaganduar mbi 5 milionë euro investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë e Lezhës”, tha ajo.

Sipas Dedgjonajt, “fakti është që kemi 5 milionë euro abuzime, me investime fiktive apo të kryera pa standarde dhe rrjet tejet të amortizuar”.

“Buxheti i këtij viti 2024 ofron gjithmonë e me pak para për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Lezhë e sidomos në zonat rurale. Asnjë investim nuk është parashikuar nga OSHEE në Lezhë, ndonëse situata është emergjente. Mungesa e investimeve, amortizimi i rrjetit aktual dhe mos pasja prioritet e banorëve në këtë zonë është tepër shqetësuese. Ndërprerja e energjisë godet jo vetëm jetën familjare por më së shumti edhe bizneset”, tha ajo.

Dedgjonaj kërkoi që autoritetet përgjegjëse të marrin masa duke rishikuar fondet sa i përket planit të investimeve për vitin 2024 dhe duke parashikuar ndërhyrje urgjente në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Bashkinë Lezhë, si domosdoshmëri për banorët e Lezhës.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme