Dosja AKSHI, Apeli i GJKKO liron nga burgu Embro Sulejmanin, efektivi Fatjon Kalluçi mbetet në qeli

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, kryekamarierin e një biznesi në Durrës, i dyshuar për përkrahjen e Ergys Agasi gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim. Nga masa “arrest në burg”, gjykata ka vendosur ndaj tij “detyrim për t’u paraqitur” dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili shqyrtoi ankimin ndaj masës së sigurisë të caktuar më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ndërkohë, Apeli ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë për Fatjon Kalluçin, shefin e Policisë Shkencore, i cili do të vijojë të qëndrojë në burg. Të dy, Kalluçi dhe Sulejmani, u arrestuan nën dyshimin se kanë ndihmuar Ergys Agasin gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim.
Në fokus të Gjykatës së Posaçme të Apelit është edhe çështja e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Seanca për shqyrtimin e ankimit të saj është caktuar sot në orën 13:00.
Hyseni është person nën hetim nga SPAK dhe dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë periudhës 8 mujore që ai ishte në arrati, si dhe se i ka vënë në dispozicion sekrete shtetërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




