“Çështja Beleri”, Ekathimerini: Rama i propozoi Vangjel Tavos të bëhet kryebashkiak i Himarës, kërkon të zbusë raportet me Athinën

Politikë | 3 vite më parë

Media greke, Ekathimerini në një artikull të gjatë thekson se kryeministri Edi Rama i ka propozuar ish-deputetit Vangjel Tavo që të bëhet kryebashkiak i Himarës ndërkohë që Fredi Beleri ndodhet në paraburgim me akuzën për blerjen e votave më 14 maj dhe derisa të zgjidhet çështja e këtij të fundit. 

Sipas medias greke, Rama është takuar në një nga kafenetë e Tiranës me Vangjel Tavon të cilit i ka kërkuar që të bëhet kryebashkiak i Himarës ndërsa ky i fundit ia ka bërë të qartë Ramës “se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument që mund të ketë lidhje me pronat e minoritetit grek në Himarë”

Më tej në shkrim thuhet se Rama nuk e ka hedhur poshtë arsyetimin e Tavos dhe më pas ish-deputeti ka njoftuar qeverinë greke, por “deri të premten e 2023-it thuhej se çështja mbetet e hapur, pasi në Athinë shpjegohet se nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga pala shqiptare”.

Shkrimi i plotë:

Në prag të Krishtlindjeve, ish-ministri dhe deputeti Vangjel Tavo, sot punon si mjek mori një telefonatë nga Edi Rama, i cili i kërkoi të takoheshin për “një kafe” në Tiranë.

Tavo, me origjinë nga Gjirokastra pranoi ftesën, ndonëse marrëdhëniet mes tyre ishin acaruar pasi Tavo  ishte larguar nga Partia Socialiste duke iu bashkuar partisë së Ilir Metës i cili themeloi Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në mes të dhjetorit Tavo kishte marrë një telefonatë nga Rama, këtë herë në nivel njerëzor, për vdekjen e vajzës së tij në një aksident automobilistik.

Marrëdhëniet midis tyre mbeten të ngrira, por pavarësisht kësaj, Rama dhe Tavo janë takuar në një kafene të njohur në kryeqytetin shqiptar dhe atje kryeministri pasi i ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund ngërçit me Athinën, dyshohet se i ka kërkuar ndihmë që ai të bëhet kryetar i përkohshëm i bashkisë së Himarës.

Siç raportojnë kolegët e Tavos, Rama i ka shpjeguar se gjatë kohës që do të jetë kryetar bashkie do të përfundojë edhe gjyqi i Belerit. Nëse ky i fundit shpallet i pafajshëm do të marrë postin e kryetarit, në të kundërt do të shpallen zgjedhjet e reja në Bashkinë e Himarës.

Sipas të njëjtave burime, Tavo i ka sqaruar Ramës se ai vjen nga Dropolli dhe jo nga Himara, ndërsa ka marrë si përgjigje se kjo nuk përbën ndonjë pengesë. Ndërsa ka theksuar se “edhe anëtarët e tjerë të pakicës së minoritetit grek nuk janë nga Himara, por qeverisin atje”.

Tavo nuk e ka hedhur poshtë propozimin dhe thuhet se deklaroi se do të ishte i gatshëm të ndihmonte në zbutjen e situatës.

Megjithatë, ai ia bëri të qartë Ramës se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument që mund të ketë lidhje me pronat e minoritetit grek në Himarë.

Gjithmonë sipas asaj që Tavo u tha bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Rama nuk e hodhi poshtë arsyetimin e tij. Më pas Tavo ka njoftuar qeverinë greke, por deri të premten e 2023-it thuhej se çështja mbetet e hapur, pasi në Athinë shpjegohet se nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga pala shqiptare.

Burime qeveritare në Athinë pohuan në të njëjtën kohë se “padyshim që personi që do të zgjidhet nuk mund të jetë nga radhët e njerëzve të Edi Ramës apo mjedisi i tij politik, por duhet të jetë sa më afër qëndrimeve të minoritetit grek”, ndërsa nuk përjashtuan që ky person të jetë Vangjel Tavo duke treguar se nuk kanë marrë informacionin përkatës nga Tirana.

Me sa duket, pala shqiptare po përpiqet t’i gjejë një zgjidhje çështjes Beleri por pa Belerin, duke vënë në shënjestër minoritete të tjera përtej Tavos, ndërsa pala e kryebashkiakut që ndodhet në paraburgim përpiqet të djegë çdo skenar në këtë drejtim.

Në këtë kuadër, informacionet që interpretohen për dorëheqjen e kryebashkiakut në detyrë dhe të zgjedhurit të Edi Ramës, Gjergji Goro, ai i ka mohuar.

Në të njëjtën kohë, nga burgu ka pasur një deklaratë nga Beleri se ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë duhet të dalë vetëm nga votat e tij fituese, qëndrim me të cilin Athina duket se është dakord, por pala shqiptare e refuzon.

Tashmë të gjithë bien dakord se “çështja Beleri” është në fazën më delikate dhe kritike, dhe thellë brenda vetes nuk e përjashtojnë një qorrsokak.

Ndaj, në prapaskenë, nga të dyja palët, po kërkohen valvula dekompresimi, me sytë te procesi gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën e Posaçme të Tiranës, e cila, megjithatë, të enjten rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Belerit për konvertimin e seancës paraprake në arrest shtëpiak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme