Programi i kredive me 0% interes! Rama vizitë në shtëpinë e inspektorit që përfitoi nga skema

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka qënë i pranishëm sot në mbrëmje në shtëpinë e Vionis Shehu, një prej inspektorëve të Policisë së Shtetit që përfitoi nga programi i kredive të garantuara nga qeveria.

Gjatë bashkëbisedimit  me të pranishmit, Rama tha se ne planifikojmë ta zgjerojmë si strategji vitin që vjen.

 Ndër të tjera, Rama dhe Balla theksuan se në buxhetin e 2024 është parashikuar një rritje e konsiderueshme pagash për punonjësit e policisë së shtetit. Siç është paralajmëruar, rritje do të ketë edhe për mjekët e përgjithshëm si dhe për arsimtarët.

 Kryeministri Rama u ndal edhe tek disa nga benefitet që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit. “E kemi diskutuar gjatë edhe më përpara dhe tani krijuam këtë sistemin me kartën e dedikuar. Kartën e çdo familje të një punonjësi policie që shkon në një super market. Kështu që kartat i kalojnë grave, ato shkojnë në supermarkete që janë të lidhura me Ministrinë e Brendshme dhe marrin ushqimin me ulje. Për ato lloj kartash është 10 – 15 % sipas produkteve. Kështu që e tha dhe drejtori është 100 mijë lek në muaj plus nga paga që është ushqim, po si vlerë blerje është edhe më shumë. Po është edhe rritja e pagave vitin tjetër është e konsiderueshme. Kjo rritja e 2024 është goxha e konsiderueshme për punonjësit e policisë edhe për mjekët e përgjithshëm, edhe për arsimtarët. Faktikisht do të shkojë 900 euro paga mesatare në shtet. Mos harro një gjë,  që krahasimi  pagë me pagë është tjetër, edhe çfarë shkon në shtëpi është tjetër. Se ti mund ta shohësh pagën në pagë, po themi punonjësi i policisë shqiptare me atë gjermane nuk është diferencë e madhe, mirë po taksat që ka ai te paga, shpenzimet që ka ai për qera e për histori të tjera, e transporti është histori më vete”, – u shpreh Kryeministri.

Sa i përket pagave të punonjësve të policisë, ato pritet që të rriten në 21-35%, nga 7% që u rritën gjatë vitit 2022-2023.

Gjatë bisedës me familjen e inspektorit të Policisë, kreu i qeverisë u ndal edhe tek boom-i turistik i këtij viti si dhe rolin që Policia e Shtetit kishte në këtë arritje. “Ne faktikisht kemi pasur trefishin e popullsisë që jeton në Shqipëri, e kemi pasur turistë. Janë më shumë sesa trefishi i banorëve që janë në Shqipëri kështu që është shifër shumë e madhe, megjithatë ne kemi potencial për shumë më tepër dhe hap pas hapi do t’ia dalim, edhe me ndihmën e policisë që ka krijuar një standard të ri sigurie me thënë të drejtën sepse gjëja që të bën përshtypje, se ne kemi bërë dhe anketime me këta turistët e huaj dhe fjala e parë që thonë, është siguria. Tani pse e thonë siguria? E thonë siguria sepse perceptimi deri jo shumë larg ka qenë që s’ka siguri, jo të kapin, jo të vjedhin, jo të vrasin, që s’ishte i vërtetë, por që sidoqoftë nuk ishte komplet i pabazë dhe vijnë e habiten”, – tha Kryeministri Rama.

Duke e uruar familjen Shehu për shtëpinë e re, kryeministri Rama përfitoi nga rasti për të uruar edhe festa të gëzuara dhe një vit të ri sa më të mbarë për familjen Shehu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme