Berisha kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka/ GJKKO: Avokatët nuk kanë paraqitur kërkesë me shkrim

Politikë | 3 vite më parë

Avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Berisha kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, por sipas GJKKO-së ende nuk kanë depozituar kërkesë me shkrim në sekretarinë e Gjykatës.

Situatën e njoftoi vetë Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka!” thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar për ish-kryeministrin arrest në shtëpi me mbikëqyrje policore dhe asnjë komunikim me persona të tjerë veç familjarëve në banesë.

Vendimi në lidhje me masën e arrestit për Berishën pritet të merret më 30 dhjetor, ora 12:00.

Avokatët e Berishës: Nuk na vuri në dispozicion vendimin e premtuar

Reagojnë avokatët e Berishës ndaj deklaratës së GJKKO: Nuk na vuri në dispozicion vendimin e premtuar

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë reaguar pasi nuk arritën të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Në reagimin e tyre ata shprehen se GJKKO duhet të informojë se cila është arsyeja pse nuk dha vendimin e mospranimit të kërkesës së tyre.

Sipas tyre kjo kërkesë nuk u vu në dispozicion të tyre deri në orarin zyrtar, sikurse iu ishte premtuar zyrtarisht dhe verbalisht.

Në reagimin e tyre, avokatët kërkojnë që GJKKO të informojë, se cila është arsyeja që deri në orarin zyrtar nuk vuri në dispozicion vendimin e papranueshëm së kërkesës për përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, ashtu sikurse i’u premtua avokatëve zyrtarisht dhe verbalisht.

“GJKKO të informojë, se cila është arsyeja qe deri ne orarin zyrtar nuk vuri ne dispozicion vendimin e papranueshmërisë se kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka sikurse i’u premtua avokateve zyrtarisht dhe verbalisht”, u shprehën ata në reagimin e tyre.

Zyra e shtypit të GJKKO, njoftoi pak më parë se deri në orën 16:00 të ditës së sotme (29 dhjetor ) në sekretariatin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim nga avokatët e Berishës për përjashtimin e gjyqtares.

“Përshëndetje të nderuar! Në vijim të interesit të shfaqur nga gazetarët Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarin e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin” thuhej në njoftim.

Në kërkesën e tyre avokatët shkruajnë se, “Ne mbrojtësit me prokurë kemi të nevojshme një kopje të procesverbalit dhe audios dhe të transkipteve të seancave të datave 26 Dhjetor 2023 ora 10:00 dhe 27 Dhjetor 2023 ora 11:00. Në nenin 115 të K.Pr. Penale parashikohet se “1. Kur është e mundur, aktet e kryera gjatë seancës gjyqësore, si dhe çdo akt tjetër i kryer jashtë saj, dokumentohen nëpërmjet regjistrimit audio ose audioviziv. Regjistrimi fillon dhe mbaron në të njëjtën kohë me seancën gjyqësore.” Ndërkohë në pikën 9 dhe 10 të nenit 115 të K.Pr.Penale parashikohet se: “9. Kur mbahet me regjistrim audio ose audioviziv, regjistrimi ruhet në programin elektronik përkatës për aq kohë sa ruhet dosja gjyqësore. 10. Palët kanë të drejtë në çdo kohë të marrin kopje të regjistrimit dhe procesverbalit të mbajtur me shtypshkrim apo dorëshkrim, kundrejt tarifave përkatëse.”

Gjithashtu avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Berisha, shprehen se në nenin 6 pika 2 të K.Pr.Penale parashikohet se: “2. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin që ti garantohen të drejtat procedurale dhe ti ruhen interesat e tij ligjore.”

“Paralelisht në datën 26 Dhjetor 2023 kemi paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Na u bë me dije dhe vetëm verbalisht na u tregua që kjo kërkesë është gjykuar nga gjyqtarja Rudina Palloi dhe nga sa konstatuam në vendimin që na u tregua verbalisht ishte vetëm dispozitivi dhe jo vendimi i arsyetuar. Duke qenë se kanë kaluar 48 orë nga depozitimi dhe duke qenë se në përputhje me nenin 22 pika 3 KPrP ve detyron gjykatën pasi merr të dhënat e nevojshme vendos për kërkesën e përjashtimit brenda 48 orëve. Pra brenda 48 orëve duhet të na vihej në dispozicion Vendimi që ka konstatuar si të papranueshme kërkesën për përjashtim. Në këtë aspekt kërkojmë Vendimin e Arsyetuar, një kopje të dosjes ku përfshihet edhe mendimi i gjyqtares Irena Gjoka.

Në përfundim të kërkesës së tyre drejtuar GJKKO-së, thuhet se, “duhet t’i bëjmë me dije gjykatës se të njëjtat shkelje janë konstatuar edhe për kërkesën për përjashtim gjatë gjykimit të verfifikimit të kushteve të masave të sigurimit shtrënguese personale ndaj personit nën hetim Sali Berisha sipas procedurës së parashikuar nga neni 248 KPrP zhvilluar në datat 24, 25 dhe 26 Tetor 2023 ku gjatë atij gjykimi përsëri kërkuar përjashtimin e gjyqtares dhe serish ende sot megjithëse kanë kaluar dy muaj asnjëherë nuk na është vënë në dispozicion vendimi. Në këtë kuadër kërkojmë Vendimin që ka rrëzuar kërkesën tonë të arsyetuar, një kopje të dosjes ku përfshihet edhe mendimi i gjyqtares Irena Gjoka, si dhe aktet administrative se si është caktuar gjyqtarja Rudina Palloi për gjykimin e kësaj kërkese”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme