SPAK kërkon “arrest në shtëpi”, GJKKO shtyn vendimin për ish-kryeministrin Berisha

Politikë | 3 vite më parë

Gjykata e Posaçme për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar edhe të enjten vendosi të shtyjë caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

SPAK ka kërkuar “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për Berishën, ndërsa avokatët mbrojtës të kryedemokratit kërkuan kohë që të paraqitin zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke aluduar për anësi të saj.

“Sot kemi marrë provat që ne mendojmë se mbështesin përjashtimin e gjyqtares. Po zbatojmë ligjin dhe afatet ligjore, sipas Kodit të Procedurës,” u shpreh avokati Genc Gjokutaj.

Mbledhja e radhës e trupës gjykuese është lënë për të shtunën, 30 dhjetor, në orën 12:00.

Kreu i demokratëve akuzohet nga SPAK si i përfshirë në korrupsion pasiv për sa i përket privatizimit të kompleksit Partizani, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.

Kompleksi u privatizua në vitin 2008, kur Berisha ishte kryetar qeverie, kundrejt vlerës 100 mijë dollarë, ndonëse prona në qendër të Tiranës shtrihej në një sipërfaqe rreth 10 mijë metra katrorë.

Malltezi u arrestua në tetor me urdhër të prokurorëve specialë, ndërsa ish-presidenti Berisha si i pandehur ka refuzuar të paraqitet personalisht në ambientet e SPAK-ut për të sqaruar rrethanat, mosbindje e cila u bë shkak edhe për kërkesën e Strukturës së Posaçme që ai të zhvishet nga imuniteti politik javën e kaluar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme