SPAK kërkon “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore, GJKKO vendos sot mbi “fatin” e Berishës

Politikë | 3 vite më parë

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të “vendosë” sot mbi “fatin” e ish-kryeministrit Sali Berisha.

GJKKO do të marrë sot në orën 15:00 në shqyrtim masën e kërkuar “arrest shtëpie” nga Prokuroria e Posaçme për ish-kryeministrin Berisha, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Seanca e djeshme e GJKKO-së u shty për ditën e sotme, ndërsa u rrëzua kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit për përjashtimin nga procesi të gjyqtares Irena Gjoka.

Pasi Kuvendi miratoi autorizimin e kërkuar nga SPAK për heqjen e imunitetit të tij, Struktura e Posaçme iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin.

Në seancën plenare të 21 dhjetorit, Kuvendi votoi dhënien e autorizimit për SPAK për masën ndaj ish-kryeministrit Berisha, mes tensioneve të shumta dhe protestës së mbështetësve të Berishës në kundërshtim të këtij vendimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme