Buxheti 2024 për Tiranën, Veliaj: 10 herë më i madh se ai që gjetëm

Përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës ku janë miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme dhe një prej tyre është edhe buxheti për vitin 2024, kryebashkiaku Veliaj ka theksuar se buxheti për vitin 2024 është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar.
Sipas tij, Tirana është 10 herë më e pastër dhe ka 10 herë më shumë shkolla.
“Është mbledhja e fundit e vitit në këshillin bashkiak për buxhetin, një buxhet 10 herë më i madh se ai që gjetëm në vitin 2015, sepse edhe Tirana ka 10 herë më shumë nevoja, por është edhe 10 herë më e pastër, ka 10 herë më shumë shkolla, ka 10 herë më shumë aktivitete dhe jemi 10 herë më shumë krenarë për gjithë punët që duam të bëjmë në Tiranë.
Në këtë buxhet ne duam që të kalojmë përfundimisht investimet në shkollat e “Astirit”, shkollat e Liqenit të Thatë edhe të Saukut, që kanë qenë dilema dhe gjyqe të prapambetura, që tashmë i kemi fituar dhe kemi të gjithë përgatitjen për të filluar punën.
Ndërkohë që për herë të parë ne marrim grantin më të madh në historinë e Bashkisë së Tiranës, 31 milionë euro nga Bashkimi Europian, që bashkë me kredinë e KFË-së, do të transformojë transportin publik në Tiranë dhe do modernizojë të gjithë linjat e autobusëve duke filluar nga 3 të parët: Linja e Unazës, Linja Kombinat – Kinostudio dhe Linja e Tiranës së Re”, thekson Veliaj.
Në videomesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj deklaron se investimet do të vijojnë për të shtuar më shumë çerdhe e kopshte, ndërsa Tirana po përgatitet për të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40.
“Në finale duam të shtojmë çerdhet, kopshtet dhe duam që këtë mandat të kapim dhe 1 milionë pemë të tjera duke filluar me mbjelljet që këtë vit, duke qenë se dhe koha është ideale për të mbjellë.
Për të vazhduar pastaj me përfundimin e Parkut të Farkës dhe për t’u siguruar që Tirana është e përgatitur për të pritur B40 vitin tjetër, që do të jetë hapësira më e madhe e bashkive që mblidhen në Tiranë, koncepton ide në Tiranë, bashkëpunon në Tiranë dhe për t’u përgatitur për atë që është surpriza më e madhe në 2025-ën, Tirana është Kryeqyteti Europian i Mesdheut. Duam që ta presim me dinjitet, me infrastrukturë, edhe me shumë dashuri”, shprehet Veliaj.
Nga subvencionimi i qirasë për familjet në nevojë te bursat për nxënësit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj renditi disa nga pikat kryesore të buxhetit që u miratuan.
Projektvendimi trajtimin me subvencionin e qirasë të disa familjeve në nevojë, që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë, është një nga pikat e buxhetit për vitin 2024 për të vijuar më pas me miratimin e familjeve aplikuese që do të përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike.
Gjithashtu në mbledhje u votua pro edhe për bonusin e qirasë të individëve dhe familjeve, pasuritë e të cilëve preken nga zbatimi i projektit të segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës, Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Shkozë”. Një tjetër pikë e rëndësishme e buxhetit të vitit të ardhshëm është miratimi i listave të nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike, që përfitojnë bursa dhe pagesa, për vitin shkollor 2023-2024.
Këshilli Bashkiak vendosi edhe për miratimin e nivelit të pagave të punonjësve në institucionet e varësisë, njësive administrative dhe policisë bashkiake, përdorimin e simbolit “B40 Balkan Cities Netëork” në kuadër të mbajtjes së presidencës së “Rrjetit B40 të qyteteve të Ballkanit” gjatë vitit 2024”, krijimin dhe organizimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kopshtit Zoologjik si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, ndryshimin e buxhetit afatmesëm të Bashkisë së Tiranës për vitin 2023, si edhe miratimin e Programit Buxhetor Afatmesëm 2024-2026 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2024”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




