Votohet sot heqja e imunitetit të Sali Berishës, gazetarja Sonila Agostini zbulon detaje

Politikë | 3 vite më parë

Kuvendi pritet t’i hapë rrugë sot SPAK për “Çështjen Berisha”. Dy raportet e mazhorancës dhe Enkelejd Alibeaj të miratuara në mbledhjen e 18 dhjetorit nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, janë në rend dite në seancën e sotme plenare.

Në thelb, dy raportet janë të njëjta, pasi i rekomandojnë Parlamentit heqjen e imunitetit të Berishës që do i hapë rrugë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vijimin e hetimeve dhe procedurave për arrestimin e tij.

Gazetarja e RTSH-së, Sonila Agostini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga ambientet jashtë Kuvendit, ku pritet pas pak nisja e seancës plenare, zbuloi disa prej detajeve që nga raporti i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj.

“Përpara se të kalojë në votimin e kërkesës për autorizimi drejtuar SPAK, deputetët do duhet të votojnë dy raporte që Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit i ka drejtuar deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë.

Janë dy raporte të Këshillit të Posaçëm të autorizuar nga Parlamenti drejtuar deputetëve me hollësi për kërkesën e SPAK se si Parlamenti duhet të veprojë në këtë rast dhe nëse faktet janë bindëse, për t’i hequr imunitetin z.Sali Berisha. Janë dy raporte, një nga mazhoranca dhe një nga Enkelejd Alibeaj, dy raporte që në thelb janë të njëjtë, që i rekomandojnë Parlamentit dhënien e autorizimit për SPAK që imuniteti i z. Berisha të hiqet.

Pas zbardhjes nga protokolli i Parlamentit të votimit. z.Berisha do i nënshtrohet kërkesës së SPAK për të vazhduar me procedurat e mëtejshme.

Më ranë sy në raportin e z.Alibeaj se ai shpjegonte përpara deputetëve se jo vetëm z.Berisha duhet të përballet me drejtësinë që ai vetë të pastrojë emrin e tij në mënyrë të pavarur duke marrë garanci nga SPAK që të mbrojë veten nga akuzat që janë ngritur, por nga ana tjetër ai tha që do t’i japë rekomandimin parlamentit për t’ia hequr imunitetin z.Berisha”, u shpreh Agostini.

Gazetarja sqaroi gjithashtu se pas ezaurimit pikës së parë të rendit të ditës, që lidhej me dy raportet për heqjen e imunitetit të Berishës, deputetët do votojnë dhe për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore.

“Pasi të ezaurohet kjo pikë e parë e rendit të ditës, deputetë do votojnë dhe ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore, duke shpresuar që në sesionin e ri më 15 janar të mund t’i jepet drita jeshile edhe për ngritjen e komisione hetimore parlamentare aq shumë të kërkuara nga deputetët e opozitës”, u shpreh ajo.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit miratoi më 18 dhjetor kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

Deputetët socialistë dhe ai i opozitës Enkelejd Alibeaj, pavarësisht raporteve të ndara janë unanimë në konkluzionet dhe rekomandimin e tyre për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.

Më 12 dhjetor, SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi për t’i hapur rrugën zbatimit të masës “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” përgjatë periudhës 2005-2013 kur ishte kreu i qeverisë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme