Fatmir Mediu në gjyq për Gërdecin: Ju tregoj rolin e Shkëlzen Berishës

Politikë | 3 vite më parë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ndodhet në një proces gjyqësor me akuzën e SPAK për shpërdorim detyre për çështjen e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona nga një shpërthim municionesh ushtarake për demontim. Por procesi është cilësuar si politik, i paligjshëm dhe i padrejtë për disa arsye që Fatmir Mediu i argumentoi në intervistën për emisionin “Pa Censurë”.

“Shqetësimi im i parë është mosrespektimi i ligjit nga SPAK. Dënimin tim të parë e kam marrë, sepse kam dhënë dorëheqjen në momentin më të lavdishëm të karrierës sime politike, kur vendi po anëtarësohej në NATO. E kam bërë ketë në respekt të dhimbjes së familjarëve dhe problemeve që u krijuan. Dorëheqja ime nuk ka të bëjë aspak me fajësinë time penale. Unë këtu kam qenë. Edhe Strasburgu e thotë që prokuroria duhet të kishte kërkuar në vitin 2009 heqjen e imunitetit për mua, gjë që edhe unë vetë e kam kërkuar në atë kohë. Më absurdja është se tani ka kaluar afati i parashkrimit dhe gjyqësori i lejon vetes të bëjë ligje. Në këtë moment nuk jemi më në Republikë kushtetuese,” tha zoti Mediu në emisionin “Pa censurë”, duke dhënë shpjegime edhe për parashkrimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, që do të thotë se pas një kohe të caktuar, një vepër penale fshihet dhe s’mund të hetohet.

“Afati i parashkrimit është 10 vjet. Nga 2008, jemi në 2023 dhe i thonë 15 vjet. Edhe pas 2009-ës, ku u pushua çështja dhe s’isha më i pandehur, shkon 2019 dhe prapë nuk qëndron. Ky është një proces  që nuk ka të bëjë me ligjshmërinë, nuk ka të bëjë me të vërtetën. Akuza ndaj meje është qesharake. Këtu flitet për një histori të madhe korrupsioni, vrasjesh etj, por unë nuk akuzohem as për korrupsion, as për vrasje, por për shpërdorim detyre.”

Një nga armët e forta që Fatmir Mediu përdor në favor të tij është mungesa e çdo marrëdhënie me kompaninë që kreu demontimin në Gërdec, duke eliminuar çdo hamendje për përfitim financiar nga procesi që solli vdekjen e 26 personave.

“Prokuroria nuk ka provuar asnjë kontakt, asnjë marrëdhënie timen me kompaninë që ka kryer demontimin. Po ju them që kam zero përgjegjësi për atë që ka ndodhur nga pikëpamja e veprimeve të mia. Nuk mund të pranoj një gjë që është e papranueshme. Ministri i Mbrojtjes nuk merret me demontimin. Ai është njeri politik dhe delegon autoritet për veprimet që janë pjesë e politikave,” tha Ish Ministri i Mbrojtjes duke lënë të kuptohet se autoritetin dhe përgjegjësinë për të vepruar në Gërdec e ka plotësisht Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. 

Por a ka pasur ndonjëherë ish Ministri i Mbrojtjes ndonjë ankesë për Gërdecin që e ka neglizhuar në detyrën e tij?

“Absolutisht jo, asnjëherë të vetme. Ka vetëm një informacion nga policia ushtarake, jo për kompaninë, por për disa punime të paligjshme në zonën e Gërdecit, që ka ardhur si raport te shefi i Shtabit dhe tek Ministri i Mbrojtjes. Ky është një paragraf në 100 probleme të ngritura nga policia ushtarake. Reagimi im ishte: të procedohen administrativisht dhe penalisht të gjithë shkelësit e ligjit. Ministri vepronte në bazë të informacionit që i vinte,” tha z. Mediu. 

Brenda pak ditëve ish-ushtarakë të lartë do të thirren si dëshmitarë të prokurorisë në procesin kundër Fatmir Mediut dhe tek ata ai ka përqendruar të gjithë vëmendjen. Deri tani kanë dëshmuar disa nga familjarët e viktimave të Gërdecit, por në gjyq nuk është paraqitur ndonjë dëshmi, e dhënë apo provë kundër Fatmir Mediut. Megjithatë, brenda pak ditësh do të jetë dëshmitar në proces edhe një nga personazhet më të lakuar për çështjen e Gërdecit, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Berisha. Por ky dëshmitar nuk ka ndonjë interes për Mediun.

“Kam zero interes për dëshminë e Shkëlzen Berishës apo Aldo Bumçit, sepse kam patur zero marrëdhënie për këtë çështje, përjashto marrëdhëniet institucione me Aldo Bumçin si Ministër Drejtësie dhe unë si Ministër Mbrojtje. Ndërsa me Shkëlzen Berishën nuk kam asnjë marrëdhënie për Gërdecin, absolutisht asnjë,” u shpreh qartë dhe drejtpërdrejt Fatmir Mediu për emisionin “Pa censurë”. 

Gazetare: Elona Meço

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme