Berisha : Beteja në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë

Ish-kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët e Elbasanit foli për situatën në Kuvend dhe për aksionin politik parlamentar të opozitës.
“Në situatën e krijuar, demokracia në Shqipëri është në klithmat e saj, është në agresionin më të rëndë në 32 vite. Demokracinë në Shqipëri, kërkon me çdo kusht dhe çmim, ta zhdukë një njeri që do të ketë në duart e tij të gjitha pushtetet. Pas 32 vitesh, vështirësish, suksesesh, mossuksesesh, Edi Rama ka zgjedhur ti japë goditjen më të rëndë në historinë e demokracisë, ka zgjedhur të asgjësojë pluralizmin politik në parlamentin shqiptar”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës arsye pse ai është shpallur non grata është fakti sepse ai ka dal kundër koalicionit të përbashkët PS-PD.
“Ju të gjithë besonit në fitore edhe unë besoja në fitoren e 25 prillit. Të gjithë besonim. Populli opozitar ishte në këmbë, në gëzim, në optimizëm, në energji. Tre ditë para zgjedhjeve më vjen i dërguari i tij dhe i Edi Ramës dhe më pyet; zoti Berisha, po nuk u fituan këto zgjedhje, çfarë mendon ti për koalicionin e madh. Çfarë i them unë? Thotë që PD e PS të bëjnë koalicion. Jo i them unë, nuk mund të pajtohem me një gjë të tillë sepse është një gjëmë për vendin. Të krijojnë dy partitë një koalicion, rrinë e vjedhin bashkërisht dhe e shkatërrojnë, nuk lënë asgjë”, u shpreh Berisha..
Ndaj tha ai, “nuk do të pajtohesha kurrë me këtë gjë dhe do të bëja gjithëccka kundër kësaj marrëveshje dhe nëse do të bëhej koalicioni”.
“Kjo është arsyeja, shkaku i vërtetë i shpalljes non grata të Sali Berishës. Sepse nëse do pranoja do të kishim një opozitë në kontroll të tij, që bashkëqeveriste, që u pinte gjakun dy herë më shumë qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe një sundim i egër i paparë. Jo i them unë, dhe pastaj mirënjohja e pakufishme ndaj jush, mbështetja e juaj është fakt që unë jam sot këtu para jush”, tha ndër të tjera ish-Kryeministri Berisha.
Në përfundim Berisha shtoi se, “në këtë aspekt beteja në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




