Samiti / Rama: Së bashku, asnjë ëndërr s’është e pamundur nëse jemi të vendosur për ta realizuar

Në Samitin e tretë të Diasporës, që po mbahet sot (23 nëntor) në Pallatin e Kongreseve, kryeministri Edi Rama dhe mesazhin se vetëm bashkimi i forcave mund të çojë në realizimin e ambicieve dhe objektivave të përbashkëta.
Teksa risolli në vëmendje kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Euro 2024, Rama tha se shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës treguan se çfarë mund të bëhet nëse të gjithë kemi një strategji të përbashkët.
“Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit, si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, për të dhënë për mënyrën se si do t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë që ndikon vendet ku jemi dhe si të bashkojmë më mire forcat për t’ja dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe objektivave të përbashkëta.
Ky Samit ndodh pak ditë pasi njishat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku në një skuadër, jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë, por na ritreguan edhe njëherë se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet, forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji dhe një qëllim për të fituar. Së bashku asnjë objektiv, sado ambicioz të jetë, nuk është i paarritshëm nëse ne jemi të vendosur për të bërë të pamundurën për ta realizuar.
Nëse ka një mësim të mëdha që ne të gjithë mund të marrim nga të gjithë ata emra që na bëjnë krenarë si shqiptarë është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund tua këshillonin dhe e kanë bërë realitet. Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Ermonela Jaho, Rita Ora, Igli tare, Lorik Cana e me radhë janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur në maja të ndryshme të botës, por të përbashkët kanë fuqinë për t’i shkuar deri në fund me çdo çmim realizimit të ëndrrës së tyre”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




