Samiti i Diasporës, Begaj: Gjuha arbëreshe në rrezik, të veprojmë menjëherë

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj deklaroi në samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë se komuniteti arbëresh në Itali ka mbajtur gjallë kulturën shqiptare.

Ai theksoi se ky komunitet ka ruajtur në 6 shekuj traditat shqiptare dhe nuk ka marrë asgjë në këmbim nga shteti shqiptar.

 “Në botë është rrallë të ndeshësh një komunitet kaq unik i komunitetit Arbëresh ndaj ne shqiptarët jemi me fat që kemi një pasuri të ruajtur nga koha çka përbën një thesar gjuhësor, zakonor dhe identitar.

Shumë popuj kanë dokumente të ruajtura por ne kemi një komunitet të gjallë që prej 6 shekujsh që na sjell nga larg jehonën e historisë sonë. Arbëreshët na kanë dhënë më shumë se çfarë tu jepnim atyre në këmbim.

Unik në shembull, ata kanë mbajtur një pjesë thelbësore të shqiptarisë pa kërkuar asgjë në këmbim”, u shpreh Begaj gjatë fjalës së tij.

Për këtë arsye Begaj theksoi se Shqipëria duhet të ndërtojë një marrëdhënie më të konsoliduar me këtë komunitet.

“Pra, pyetja sot nuk shtrohet se çfarë duhet të bëjmë ne për arbëreshët, por çfarë duhet të bëjmë që këtë pjesë të shqiptarisë, ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë. I kemi të gjitha mundësitë për të shkruar një kapitull të ri në marrëdhëniet me arbëreshët. Përgjegjësia historike dhe veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm sepse pasojat do të prekin edhe brezat e ardhshëm”, theksoi kreu i shtetit shqiptar.

Presidenti vlerësoi iniciativat e ndërmarra nga komuniteti arbëresh në Itali, me transmetimin e programeve arbëreshe në Rai Kalabria. Ndërsa çmoi edhe hapjen e kanalit RTSH 3 mbi Diasporën të Radio Televizionit Shqiptar.

“Duhet të ruajmë arbërishten. Arbërishtja konsiderohen nga UNESCO si qartësisht e rrezikuar në Atlasin e gjuhëve të rrezikuara.

Çmoj që kurrikula e arbërishtes të jetë në të gjitha shkollat e Kalabrisë. Gjithashtu vlerësoj iniciativën në transmetimit të programeve në gjuhën arbëreshe nga Rai Kalabria.

Po kështu vlerësoj iniciativën që Radio Televizioni Publik po ndërmerr për krijimin e një kanali televiziv për Diasporën në të cilën sigurisht do të promovohet gjuha dhe kultura arbëreshe”, shtoi më tej Begaj.   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme