Ulsi Manja: Beleri, çështje e drejtësisë. Greqia s’na pengon dot për në BE

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri që po gjykohet për blerjen e votave në zgjedhjet e 14 majit, është çështje e drejtësisë.
Sipas Manjës, pavarësisht pretendimeve të Greqisë, çështja “Beleri” u takon institucioneve të drejtësisë shqiptare.
“Më duhet të pohoj qëndrimin tonë konstant. Beleri është çështje e drejtësisë. Sigurisht që Greqia ka qëndrimet dhe pretendimet e veta, por kjo është një çështje e drejtësisë. Ky është qëndrimi që kam unë”, u shpreh Manja në një prononcim për mediat.
I pyetur nëse Tirana zyrtare ndodhet nën presion nga Athina që mund të vendosë veton për integrimin e Shqipërisë në BE, Manja nuk beson se Greqia mund të bëhet pengesë ndaj këtij procesi.
“Unë nuk besoj se Greqia do të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ka një qëndrim të dëshmuar të Greqisë në përkrahjen në të gjitha proceset integruese të vendit. Edhe kësaj radhe unë kam bindjen se Greqia nuk do të jetë penguese në procesin tonë drejt BE-së”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Referuar rastit të Maqedonisë së Veriut për çështjen e emrit, Manja shtoi se “e bëri me Maqedoninë e Veriut por marrëdhëniet tona me Shqipërinë, dhe qëndrimi i Greqisë në raport me Shqipërinë në gjithë këtë trajektoren tonë ka qenë pozitive.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




