Heqje e nenit të Shpërdorimit të Detyrës nga Kodi Penal? Blendi Klosi: Po punohet për Kod të ri

Statistikat zyrtare tregojnë se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës” është vepra më e përdorur nga drejtësia kundër pushtetarëve.
Por së fundmi janë shtuar zërat se kjo vepër penale do të hiqet nga Kodi Penal.
Këta zëra nuk i mohoi as Sekretari i Përgjithshëm i LS, Blendi Klosi, kur u pyet nga gazetarja Elona Meço për këtë çështjet.
Gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”, ai konfirmoi se po punohet për një Kod të ri Penal modern.
Megjithëse tha se nuk dinte detaje, zoti Klosi shfrytëzoi rastin për t’u treguar i hapur për bisedime me opozitën në parlament.
Ai nuk përcaktoi se me cilën opozitë, por tha se duhet një konsensus i gjerë, duke qenë se PS nuk ka 84 votat që duhen për miratimin e Kodit.
Të paktën s’i ka për këtë legjislaturë, pasi për vitin 2025 Blendi Klosi bëri parashikime të rëndësishme elektorale.
Pjesë nga intervista për emisionin “Pa censurë”
Elona Meço: Ka disa zëra që flasin për një projekt për ndryshimin e Kodit Penal, për heqjen e nenit të Shpërdorimit të Detyrës. Ekziston ky projekt?
Blendi Klosi: Po, PS e ka shprehur hapur që kemi nevojë të rishikojmë Kodin. Po punohet për lehtësimin e këtij kodi. Është një punë e mirë e bërë nga Ministria e Drejtesisë dhe do të jetë pjesë e diskutimit publik. Kodi Penal është vendimmarrje me shumicë të cilësuar. Kërkon diskutim dhe dakordësim me opozitën, pasi ne nuk i kemi 84 vota dhe një forcë e vetme politike s’i ka pasur asnjëherë. Mesa po duket, pas 2025-ës do t’i kemi më shumë.
Elona Meço: Dhe është hequr shpërdorimi i detyrës?
Blendi Klosi: Nuk di detaje, por di të them që po punohet me kërkesat që ka koha. Ajo që kam informacion është që Ministria e Drejtësisë po punon me juristë për të realizuar ndryshimet të mira të Kodit Penal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




