Njohja e Kosovës nga Serbia/ Andoni: S’mendoj që pranohet zyrtarisht, kush e bën, gati të firmosi vetëvrasjen e tij

Analisti Ben Andoni duke folur sot në emisionin “Ekspres” në RTSH1, është ndalur gjerësisht në komentin e tij për situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet që ka me Serbinë.
Si njohës shumë i mirë i politikës rajonale, Andoni mendon se është shumë shpejt që Serbia zyrtare të njohë Pavarësinë e Kosovës.
“Nuk mendoj që zyrtarisht do pranohet pavarësia e Kosovës, sepse çdo njeri që e pranon zyrtarisht Kosovën e pavarur është gati të firmosi vetëvrasjen e tij”, tha analisti Andoni.
Ai tha gjithashtu se edhe shpallja e zgjedhjeve parakohshme në Serbi është strategji nga Presidenti Vuçiç për të shmangur situatën e politikës së brendshme.
“Zgjedhjet e parakohshme së fundmi në Serbi është një lëvizje e paralajmëruar nga Vuçiç, për shkak se do të fitojë energji nga rezistenca e brendshme”, theksoi ai.
“Serbët do të duhet ë kuptojnë që Kosova është vendi i serbëve, kosovarëve, shqiptarëve, romëve, boshnjakëve, turqve ”, apeloi Andoni .
Analisti Ben Andoni, ka komentuar dhe politikën e brendshme në Shqipëri. Ai mendon se Shqipëria ka nevojë ulëritëse për një të djathtë të re dhe të reformuar sepse Partia Demokratike e ka mbyllur misionin e saj.
“Për mendimin tim Partia Demokratike e tanishmja e ka mbyllur misionin e vetë, pres që e djathta të reformohet sepse shoqëria shqiptare ka nevojë për një të djathtë gati në formë ulëritëse”, u shpreh ai në emisionin “Ekspres” në RTSH.
Sipas tij, klasa politike sot duhet të kuptojë dhe të zhbëjë ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008. Vetëm kështu mund të këtë një lloj frymëmarrje dhe për subjektet e reja politike dhe për balancë-kontrollin e pushteteve në vend.
Gjithashtu z. Andono nuk la pa kritikuar dhe mazhorancën , që sipas tij dhe shumica parlamentare duhet të jetë më bashkëpunuese për realitetin e ri që ka sot opozita.
“Drejtimi i Kuvendit nga zonja Lindita Nikolla, lë shumë për të dëshiruar dhe mazhoranca do duhet të ishte më e kujdesshme për qasjen e duhur ndaj opozitës. Nuk mendoj se është faji i mazhorancës për gjendjen e opozitës por mazhoranca do duhet të ishte më e hapur për këto realitet”, theksoi ai.
Ndër të tjera ai theksoi se, “nëse vazhdon kjo situatë e tillë politike, logjika më çon që Shqipëria është afër zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhjet e parakohshme për këtë opozitë sot është një dëm edhe më i madh”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




