PS, Asamble të Zgjeruar, Rama: Asnjë taksë nuk do rritet. Do rishikojmë edhe nivelin e tatimit mbi pagën

Politikë | 3 vite më parë

Nuk do të ketë rritje të taksave, kështu u shpreh kryeministri Edi rama në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste që u mbajt në Fier. Teksa u ndal te buxheti i vitit 2024, Rama tha po ashtu se po diskutohet edhe një zbutje e nivelit të tatimit mbi pagën.

“Për herë të parë Shqipëria ka 2% të buxhetit për Shqipërinë, që përmbush kriterin e NATO-s. Ky është një detyrim që Shqipëria sot e ka të plotësuar. Asnjë taksë nuk do të rritet, asnjë. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me zero taksë dhe zero tvsh, ndërkohë jemi duke diskutuar dhe mbase do ta arrimë që edhe nivelin e taksës mbi pagën të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë, këtu kam parasysh që deri dje kishim 1 mln si nivel të lartë, sot nuk është 1 mln, edhe aty do mundohemi të bëjmë një zbutje që të mbetet më shumë për familjet”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri u shpreh se borxhi publik është ulur me 15%, duke arritur në nivelin e 60%, teksa theksoi se vitin tjetër synohet që të zbresë nën këtë nivel. Po ashtu ai theksoi se vitin e ardhshëm, sipas Bankës së Shqipërisë, edhe inflacioni pritet të rikthehet në normalitet, në vlerën që ishte para krizës.

“Shqipëria sot është gjithmonë e më atraktive jo sepse ka një pamje të bukur, por sepse pas asaj pamje kanë ndodhur shumë gjëra të rëndësishme. FMN theksoi se Shqipëria sot ka një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kjo nuk është diçka që e kanë të gjithë. Agjencia e Vlerësimit të Shteteve Standard & Poor’s, bëri pas 7 vitesh një tjetër rritje të rëndësishme në vlerësimin e Shqipërisë. Duke e kaluar nga vlerësimi B+ stabël, në vlerësimin B+ me perspektivë pozitive.

Nëse do vazhdojmë të ecim para si tani, me uljen e borxhit dhe çeljen e negociatave bëhemi një shtet që mund të marrë së shpejti vlerësimin dhe të kalojë në 2B. Borxhi ynë shkoi deri në 75%. Sot që flasim me buxhetin e vitit 2024 ne jemi pothuajse në 60%, kemi një ulje me 15% të borxhit dhe projeksioni ynë është që vitin e ardhshëm ne do zbresim nën 60%. Inflacioni ka qenë një tjetër problem shumë i madh. Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në rajon, nën mesataren e BE. Aktualisht jemi me 4.1% dhe sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e ardhshëm inflacioni do rikthehet në normalitetin para krizës, midis 2 dhe 4. Vitin e ardhshëm do ta çojmë pagën mesatare 900 euro”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme