Luan Baçi në “3D”: Ish-kryeministri s’ka asnjë hall. Ne e përdorim Berishën, jo ai neve

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka deklaruar se janë deputetët e kësaj force politike ata të cilët përdorin Sali Berishën për të çuar përpara aksionin opozitar.
Duke iu referuar tensioneve dhe përplasjeve fizike sot në Kuvend, Baçi theksoi në emisionin “3D” në RTSH 1, se “Berisha nuk ka asnjë hall”, pavarësisht sipas Baçit, “kushteve të disfavorshme” në të cilat ndodhet ish-kryeministri.
“Berisha ka ku ta bëjë betejën e tij. Kështu nuk ka hall Berisha. Madje shpeshherë kur thonë se Berisha po përdor Partinë Demokratike, ose juve deputetëve. Unë mendoj se ne po përdorim Berishën dhe jo Berisha neve. Ne po e përdorim Berishën në kuptimin e mirë të fjalës”, theksoi Baçi.
Ai vuri në dukje se opozita nuk po proteston kundër SPAK-ut por për të drejtën e saj kushtetuese për të ngritur komisionet hetimore parlamentare në Kuvend.
“Ne do të protestojmë jo para SPAK-ut por do të protestojmë për zbatimin e ligjit dhe rregullores. Nëse ka një gabim është moskorrektesa e SPAK-ut për masat parandaluese që ka marrë për z. Berisha.
Ky nuk ishte shkaku sot në Parlament. Por shkaku është se ka disa seanca që tashmë është i dukshëm që është mohimi i të drejtës së opozitës për të ngritur komisionin hetimore parlamentare të firmosura nga 35 deputetë. Dhe sipas Kushtetutës nuk ka mazhorancë që ta e mohojë një gjë të tillë. Është e detyruar ta pranojë”, theksoi më tej Baçi.
Baçi nënvizoi se mazhoranca i frikësohet komisioneve hetimore parlamentare pasi sipas tij, i druhet përballjes me faktet siç ndodhi në rastin e aferës së incineratorëve ku dëshmoi edhe kryeministri Rama. Sipas Baçit, të dhënat dhe dëshmitë në rastin e këtij komisioni u shfrytëzuan nga SPAK-u.
“Hetimi parlamentar nuk ka lidhje me hetimin që bën çdo gjykatë gjyqësore kushdo qoftë ajo. Mazhoranca mund ta rrëzojë me votë, por mazhoranca i frikësohet hetimit parlamentar për arsye se ka disa kompetenca që thërret këdo në komision nën betim për të dëshmuar. Kësaj i trembet sepse pati fatin e keq për komisionin hetimor parlamentar për incineratorët ku erdhi edhe Rama, evidenca të cilat edhe SPAK-u i ka shfrytëzuar”, shpjegoi Baçi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




