Kryeparlamentari kanadez pret Nikollën: Vlerësojmë lidershipin e fortë të Shqipërisë në KS të OKB dhe NATO

Politikë | 3 vite më parë

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla në vijim të vizitës së saj zyrtare në Kanada, është pritur në një takim nga Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Greg Fergus.

Në fjalën e saj, Nikolla vuri në dukje se shprehu  mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë  për pavarësinë, zhvillimin, demokratizimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe nënvizoi se të dy vendet do të  bashkëpunojnë edhe për mbrojtjen e stabilitetit e integritetit të Kosovës dhe nxitjen e dialogut  me Serbinë, mbështetur në zgjidhjet e ofruara nga ShBA dhe BE.

 “Gjatë 36 vjetëve të marrëdhënieve diplomatike, Kanadaja është një mike dhe partnere e çmuar, me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin, demokratizimin dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me Kanadanë na lidh bashkëpunimi në NATO, OSBE dhe OKB, sidomos vitet e fundit kur Shqipëria shërben si anëtare e KS dhe prej 10 tetorit edhe si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Në këtë partneritet na ndihmojnë vlerat e përbashkëta, përkushtimi për paqen, të drejtat e njeriut dhe përballimin e sfidave globale. Të dy vendet tona do të bashkëpunojnë për luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, mbështetjen e Izraelit përballë sulmeve të Hamasit, të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë, dhe ndihmën ndaj refugjatëve afganë”, tha Nikolla e cila informoi më tej homologun mbi Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe lidershipin e kontributin e Shqipërisë në integrimin rajonal.

Duke vlerësuar Kanadanë si një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, Nikolla i sugjeroi homologut Fergus rritjen e investimeve kanadeze në sektorët e energjisë, minierave, bujqësisë, digjitalizimit, mbrojtjes kibernetike etj. Për këtë do të shërbente edhe riaktivizimimin i Fondit Kanadez për Nismat Lokale, hapja e Ambasadës në Tiranë dhe finalizimi i marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë.

Nga ana e tij, Fergus shprehu kënaqësinë se delegacioni i Kuvendit ishte i pari delegacion i huaj që pret pas zgjedhjes në detyrë.

“Dhoma e Komuneve është shumë e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë. Bashkëpunimi parlamentar do të mbështesë dy vendet tona për të përballuar sfidat e përbashkëta globale”, tha ai.

Fergus vlerësoi lidershipin  e fortë të Shqipërisë në KS të OKB dhe në NATO dhe nënvizoi se në këto aspekte Kanadaja ka ç’të mësojë nga Shqipëria.

Delegacioni i Kuvendit ishte i pari që u prit nga Kryetari  i sapozgjedhur  i Dhomës së Komuneve. Në takim ishin të pranishëm Zëvendëskryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, deputeti Eduard Ndreca dhe Ambasadori Ermal Muça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme