Procesi i integrimit/ Milo në “3D”: Makron me ide të papërpunuara. Udhëheqësit e BE, mospërputhje në deklaratat e tyre

Presidenti i Francës, Emanuel Makron (Emmanuel Macron), gjatë vizitës në Tiranë, iu referua procesit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor si ribashkim i Europës, një koncept i ri, por që për ish- ministrin e Jashtëm, Paskal Milo, është një ide e papërpunuar.
Në studion e emisionit “3D” në RTSH, Milo u shpreh se ky koncept është risjellë nga Makron dhe përfshinë integrimin e vendeve, pa të drejtë vote, sipas fushave ku do të avancojnë. Megjithatë, siç u shpreh Milo, KE duhet të mblidhet dhe të shkojnë drejt nënshkrimit të një traktati të ri të BE që të qartësojnë perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Vetë Makron, gjatë këtyre viteve të fundit ka patur disa qëndrime për të ardhmen e BE. Produkti solli një Komunitet Politik Europian që mblidhet 2 herë në vit dhe që për mua është kthyer thjesht në një tribunë politike pa asnjë vendimmarrje, vetëm për të shkëmbyer mendime. Makron ka rimarrë atë koncept të integrimit europian me 2 apo 3 shpejtësi në ndërtimin europian. Ai i është përafruar një ideje që do të ketë një koncept të ri për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si koncept është hedhur para disa kohësh që vendet kandidate të integrohen sipas sektorëve, sipas mundësive që kanë, atje ku do avancojnë më shumë, që mund të interesohen pa të drejtë vote.
Ajo që ka hedhur Makron është një ide, por e pa përpunuar. KE duhet të mblidhet dhe të shkojnë drejt nënshkrimit të një traktati të ri të BE që të qartësojnë perspektivën e këtyre vendeve. Traktati i Lisbonës që është në fuqi, i vitit 2009, ka disa kufizime edhe për vendimmarrjen, që këtu fillon bllokimi. Si do merren vendimet për ribashkimin e Europës, me konsensus si sot, apo me do merren me shumicë të cilësuar 2/3. Që këtu fillon historia sepse ndryshe çdo vend mund të bllokojë sepse nuk ka dëshirë ta shohë një vend tjetër në BE. Pra janë gjëra që hidhen në treg, por nuk janë të qarta”, u shpreh Milo.
Ish-ministri i Jashtëm tha po ashtu se ka edhe një mospërputhje në deklaratat e udhëheqësve të BE për kohën e integrimit të vendeve të rajonit në BE. Sipas tij, KE duhet të dalë me një vendim, pasi aktualisht ka një “kakofoni që nuk ndihmon”.
“Ka një mospërputhje në deklarata e udhëheqësve të BE. Michel, i cili para pak kohësh vuri vitin 2030 si kufi që vendet e BP do të anëtarësoheshin në BE. Kjo nuk është në nderin e BE dhe të KE, si instanca më e lartë e BE. Tregon se njëra i bie gozhdës dhe tjera patkoit. KE duhet të dalë me një vendim. Shohim një kakofoni që nuk ndihmon”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




