Rama përcjell Makron në aeroport: Mirupafshim së shpejti

Kryeministri, Edi Rama ka përcjellë për në aeroport presidentin francez, Emanuel Makron.
Kreu i qeverisë ka publikuar në rrjetin e tij Facebook një foto krah presidentit francez ndërsa shkruan në frengjisht se do të të shihen sërish për të tjera takime.
“Mirupafshim së shpejti zoti President, rroftë Shqipëria, rroftë Franca”, shkruan kryeministri Rama krahas fotos.
Presidenti francez, Emanuel Makron ( o. Emmanuel Macron) shkeli në tokën shqiptare mbrëmjen e së hënës (16 tetor), duke shënuar vizitën e parë zyrtare të një presidenti francez në Shqipëri.
Makron erdhi pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit, takim që e humbi për shkak se shtyu me disa orë vizitën prej sulmit të ndodhur në një nga shkollat franceze ditën e premte, ku një mësues francez u vra me thikë nga një ish-nxënës i radikalizuar në Arras (Pas- de-Calais).
Presidenti i Francës e nisi vizitën zyrtare në Shqipëri duke i dorëzuar shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
Sot, ai është pritur me një ceremoni zyrtare nga presidenti, Bajram Begaj. Më tej presidenti mbajti një konferencë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama ku theksoi qëndrimin se Shqipëria është ankoruar në Europë dhe se e ardhmja e saj është në BE.
Shqipëria dhe Franca kanë nënshkruar një numër marrëveshjesh gjatë pritjes së presidentit Emanuel Makron.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




