Transformimi i Shqipërisë/ Videoja e Ramës që shtangu liderët e BE-së dhe Ballkanit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook videon e paraqitur një ditë më parë në punimet e Samitit për Procesin e Berlinit para 31 liderëve të BE-së dhe 5 liderëve të Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë dje dhe asaj sot.
Teksa e nis videon me pamje të Shqipërisë së “parë” dikur si pulsi i propagandës komuniste më ekstreme të Europës, e kur as që mendohej që liderët e BE-së të shkelnin në Tiranën zyrtare, Kryeministri i përfundon pamjet me Shqipërinë e transformuar rrënjësisht, e cila dita-ditës po bëhet kryeqyteti i Europës së Ballkanit.
“Jeni ulur në një vend që në nisje u krijuar si pulsi i propagandës komuniste më ekstreme të Europës dhe as që mendohej që ju të vinit këtu.
Asokohe mua dhe 2.2 milionë shqiptarëve të tjerë na u mësua të mos vinim kurrë te ju, të mos ju jepnim kurrsesi dorën, të mos ju flisnim në asnjë rast dhe nëse do guxonit të hynit këtu t’ju vrisnim.
Po kohët ndryshojnë e ne bashkë me to, ashtu siç është shndërruar ky qytet e kjo hapësirë gjithashtu.
Pra, ja ku jeni dhe faleminderit të gjithëve ju dhe atyre që qenë para jush e mbi të gjitha etërit themelues të familjes suaj të përbashkët që u bëtë frymëzimi që na shoqëroi gjithherë gjatë ndryshimit tonë të dhimbshëm, qëkur për herë të parë në historinë tonë mundëm të zgjedhim lirisht krah kujt donim të ishim.
Krah Bashkimit tuaj.
Më besoni, sidoqoftë nuk ishte aspak e lehtë.
Ajo çfarë do të shihni më tej pas pak çastesh ishte jeta jonë e pafundme pa ju.
Tirana ishte kryeqyteti më i izoluar i Europës, dikur veç një qytezë e vjetër në vitin 1917 ajo u shpall kryeqytet, 5 vjet pasi vendi deklaroi pavarësinë nga perandoria otomane.
Përpjekja e parë për të projektuar të ardhmen e Tiranës erdhi pas mbërritjes së një Princi prusian i quajtur Vid, bashkëshortja e të cilit ishte princesha Mari e Holandës dhe nga i cili kujtohet emri që i dha shtypi francez, “Prince de Vide-Princi i Asgjësë”. Ai u zgjodh nga fuqitë e mëdha europiane për të qetësuar shqiptarët e pavarur, por nuk zgjati dot më shumë se 6 muaj.
Planifikimi i mirëfilltë mori udhë kur mbreti shqiptar, një burrë i zgjuar pa gjak mbretëror, i cili e kish nisur karrierën si Ministër i Brendshëm porositi italianët ta bënin.
Kohë më vonë, një shkrimtar i famshëm rus Ilya Ehrenburg shkroi: kam parë qytetet pa bulevard, por në tIranë pashë të parin bulevard pa qytet.
Pas luftës së dytë botërore, Shqipëria ra nën regjimin më mizor komunist të të gjithë perandorisë sovjetike.
Enver Hoxha, diktatori shqiptar, ishte një Stalinist i flaktë që erdhi në pushtet me ndihmën e komunistëve jugosllavë.
Megjithatë, nxitoi ta denonconte si tradhti politikën e mosrreshtimit të Jugosllavisë komuniste fqinjë dhe forcoi lidhjet me Kremlinin.
Pas vdekjes së Stalinit, ai dënoi si tradhti të lartë kursin të të ashtuquajturës “bashkëekzistencë paqësore me Perëndimin” i nisur nga cari i ri i Kremlinit Nikita Khrushchev dhe i shkëputi të gjitha raportet me Moskën.
Shqipëria iu përbetua Stalinizmit me besnikëri të përjetshme dhe doli nga traktati i Varshavës duke u bërë vendi i vetëm që luftonte imperializmin amerikan ashtu edhe socialimperializmin sovjetik. Për të, Enver Hoxhën, ju ishin qentë e tërbuar të njërit apo tjetrit.
Vitet ’60-’70 në Shqipëri u shënjuan nga ndikimi shkatërrues i Revolucionit Kulturor të Kinës komuniste. Ato kohë të tmerrshme, Shqipëria përjetoi dy valë tronditëse, e para ishte ndalimi i Zotit duke e bërë Shqipërinë të parën republikë ateiste në botë sanksionuar në kushtetutën e saj. U shkatërruan dhe u shembën mijëra kisha e xhami, qindra-mijëra vepra të artit fetar e libra u dogjën nëpër rrugë.
I gjithë kleri u arrestua, u vra dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Goditja e dytë që erdhi fill ishte ndalimi i artit dhe kulturës së shekullit të 20-të. E gjithë muzika, arti pamor, letërsia e filmat që konsideroheshin si modernizëm i degjeneruar u ndalua. Pjesa e mbetur filtrohej nën lupën e së ashtuquajturës kritikë marksiste-leniniste, që nga Odiseja e deri te vetë Lenini, libri it ë cili, “Çfarë duhet bërë?”, po ashtu u ndalua.
As arkitektura nuk shpëtoi.
Në vend nuk lejohej prona private, as automjetet personale e as lëvizja brenda vendit. Vendin e punës së gjithsecilit e vendoste shteti, i cili kontrollonte edhe demografinë me grusht të hekurt si çdo gjë tjetër.
Rënia e komunizmit e shtyu Tiranën në skajin tjetër të lavjerrësit, e përballur me një ndryshim masiv e të shpejtë demografik qyteti përjetoi dyndjen e qindra mijëra njerëzve të cilët u vendosën në fushat e mëdha bujqësore përreth qytetit.
Vitet ’90 u karakterizuan nga një numër dërrmues njerëzish që zinin e vendoseshin në zonat e lira nga qendra e deri te gjithë rrethinat e Tiranës.
Tirana humbi gjithë parqet dhe hapësirat e gjelbra. Pemë të panumërta u prenë dge ndërtesat e paligjshme mbinin si kërpudha kudo, ditë e natë, vit pas viti.
Në vitin 2000 kur u zgjoidha kryetar bashkie, bashkia kishte një buxhet zero pikë ca për investimet kapitale.
Në rrjetin e ndriçimit të Tiranës punonin pa ekzagjerim vetëm 78 llamba që po punojnë ende në rrjetin e ndriçimit publik të Tiranës dhe ndërprerjet e energjisë mbizotëruan për vite me radhë.
Të ardhurat e marra nga taksat bashkiake ishin vetëm 4%. Asnjë kryeqyteti tjetër në Europë nuk i është dashur ta nisë nga më pak se zero siç bëri Tirana.
Asnjë qyteti tjetër europian nuk i është dashur të përballet me morinë e shembjeve të ndërtesave të paligjshme si ato që përjetoi Tirana.
U desh të zhdukeshin më shumë se 10 000 ndërtesa nga një deri në tetëkatëshe për t’i lënë vend rindërtimit masiv të infrastrukturës dhe mbjelljes nga e para të një numër të konsiderueshëm pemësh.
Piramida, dikur simboli pompoz i diktaturës u shndërrua në një monument të braktisur, një simbol neveritës i gjithë shëmtisë urbane ku u rritëm.
Sot ndërtesa ka rilindur për t’iu shërbyer ëndrrave dhe shpresave të të rinjve shqiptarë, ndërsa Tirana po punon fort çdo ditë për t’u bërë vendi për të jetuar. Dhe ja ku jemi këtu së bashku, uroj që tani ta kuptoni pak më mirë pse ju duam pa kushte.
Ne mësojmë hap pas hapi që ju jeni larg të qenit të përkryer por e dimë më mirë se gjithkush tjetër se jeni shoqëria më e mirë që mund të kesh në botë.
Dhe më besoni, do ju bindim se kemi miqtë më të mirë që mund të fitoni deri në fund.
Jemi vendi më euro-optimist i Europës.
Kjo nuk është propagandëm e thotë barometri i BE-së përherë çdo vit.
Shqipëria, Europa e re e Ballkanit”, thuhet në videon e paraqitur para liderëve të BE-së e Ballkanit Perëndimor të cilët erdhën një ditë më parë në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




