Veliaj: Pazari i Ri dhe Piramida u rikonstruktuan nga amerikanët

Politikë | 3 vite më parë

Pas një sërë aktivitetesh të suksesshme, që shënjuan Javën Shqiptaro-Amerikane në Tiranë, dje pasdite në Pazarin e Ri u organizua eventi përmbyllës me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreut të Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff.

“Ne shqiptarët dimë të jemi mirënjohës dhe sot nuk jemi mirënjohës vetëm për financat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në Tiranë përmes Fondit Shqiptaro-Amerikan. Jemi mirënjohës edhe për vetë ekzistencën tonë. Ishte vendimi i duhur historik i SHBA-ve që Shqipëria të ishte një vend i pavarur. Jemi krenarë që, pasi u bëmë një vend i pavarur, ishim vendi që ka mbrojtur më shumë hebrenj. Kjo është historia jonë dhe kjo është aleanca jonë me SHBA, me Ukrainën kundër agresionit, me Izraelin kundër sulmit terrorist, dhe unë besoj se Shqipërisë i ka dalë për mbarë, jo kur ka bërë llogari të vogla, por kur ka qenë në anën e duhur të historisë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff tha se investimet e përbashkëta kanë gjeneruar ekonomi për vendin dhe kanë shtuar ndjeshëm edhe numrin e turistëve.

“Miqësia dhe partneriteti janë shumë të rëndësishme, duke patur parasysh se në ç’botë të vështirë po jetojmë sot. Qëllimet tona kanë qenë fare të thjeshta. Donim t’i bashkonim njerëzit, donim të krijonim komunitet dhe të forconim rritjen ekonomike. Vende si këto [Pazari Ri], nuk janë vende që i shijojnë vetëm shqiptarët, por janë vende ku vijnë turistë nga e gjithë bota”, tha Granoff.

 Aktiviteti përmbyllës u organizua te Pazari i Ri, një projekt i bashkëfinancuar nga AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) dhe Bashkia e Tiranës.

Gazetare: Teuta Shamku                

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme