Lushnjë, Basha: Të braktisim çdo autokrat dhe delirant që dëmtoi çështjen e të përndjekurve politikë

Lushnja ka qenë stacioni i rradhës i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të një serie takimesh që ai po zhvillon në disa qarqe të vendit.
Pasi ka vizituar të premten Memorialin e të përndjekurve politikë në Lushnjë, kreu i PD tha se emri i demokratëve duhet pastruar, duke braktisur çdo nuancë, çdo trend apo tundim intolerant, autokratik dhe delirant, që ka dëmtuar dhe dëmton ashtin dhe vlerat e saj.
“Te memoriali i të përndjekurve politikë në Lushnjë për të nderuar e kujtuar viktimat e regjimit më çnjerëzor në Europë. Detyrimet tona, materiale e morale, ndaj të përndjekurve dhe pasardhësve të tyre, janë shtysë për të reflektuar mbi rolin tonë si Parti Demokratike. Për përgjegjësinë që kemi mbi supe për të mbrojtur atë që është e vlefshme nga trashëgimia jonë dhe nga historia e të djathtës. Për pastrimin e emrit të saj, duke braktisur çdo nuancë, çdo trend apo tundim intolerant, autokratik dhe delirant, që ka dëmtuar dhe dëmton ashtin dhe vlerat e Partisë Demokratike”, shkruajti Basha në rrjetet sociale.
Në Lushnjë, ai i ka kushtuar vëmendje edhe të persekutuarve dhe të dënuarve politikë të diktaturës, pasi Lushnja dhe fshatrat përreth, sipas tij, “u përcaktuan si vendi kryesor i internimeve dhe ndëshkimeve mizore nga ana e regjimit komunist.”
Basha ishte edhe në familjen e persekutuar të Ramadan Toskës, ku tha se “vuajtjet dhe sakrificat e tyre janë busulla jonë morale, njohja dhe nderimi i kalvarit të përndjekurve dhe pasardhësve të tyre janë jetike për rimëkëmbjen shpirtërore të kombit tonë”.

Basha me fermerët: PD do të ketë shumë shpejt një program për bujqësinë
Basha gjatë turit të tij është ndalur sot në Lushnjë duke zhvilluar takime me fermerët, prej ku lajmëroi se PD do të ketë shumë shpejt gati një program për ta.
“Dëgjova me vëmendje shqetësimet për mungesën e subvencioneve, për largimin e të rinjve, për mungesën e investimeve në infrastrukturë, që e bëjnë edhe më të vështirë përballjen me këtë realitet të hidhur ekonomik”, tha Basha.
Një nga çështjet kryesore, tha Basha, dhe që e ka ndeshur në bashkëbisedimet me fermerët anembanë vendit, është ajo e korrupsionit me fondet e bujqësisë.
“Indinjata e tyre është e madhe, sepse kjo padrejtësi dëshmon jo vetëm babëzinë e kësaj qeverie, por edhe arrogancën me të cilën kanë tjetërsuar fondet IPARD të BE-së, që në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për resorte për qeveritarët dhe klientët e tyre”, theksoi Basha.
Ndaj, theksoi Basha, dhënia fund e pandëshkueshmërisë në çdo nivel të qeverisjes dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit, janë prioritare për Partinë Demokratike, implementimi i të cilave do të ndihmojë çdo sektor të jetës ekonomike dhe politike, duke prodhuar mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Për shkak të mungesës së perspektivës nga keqqeverisja dhe korrupsionit i përhapur kudo, sikurse u shpreh ai, banorët në këto zona po përballen me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për bujqësinë, mungesa e tregut, rritja e çmimeve, rënia e fuqisë blerëse, largimi i të rinjëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




