Kuvendi i Shqipërisë miraton me 101 vota dhe 1 abstenim, rezolutën për sulmin në Kosovë

Në përfundim të mocionit me debat dhe interpelancës, Kuvendi votoi të enjten (12 tetor) pro rezolutës së dakordësuar nga dy grupimet politike, të majtë dhe të djathtë, që dënon sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë, nga të cilët asnjë nuk votoi kundër, por pati 1 abstenim.
Dokumenti në fjalë thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës.
Në tri pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë.
REZOLUTA
Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;
Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;
Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
- Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën plenare të datës 28 shtator 2023;
2.Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;
- Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
/rtsha.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



