Shqipëria dënon sulmin brutal të Hamasit ndaj Izraelit.

Kryetarja e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Blerina Gjylameti, njëherësh dhe kryetare e Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, deklaroi se “sulmet e grupit terrorist të Hamas janë të papranueshme dhe duhet të dënohen në mënyrën më të fortë të mundshme”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjylameti thekson rëndësinë e dialogut dhe paqes së qëndrueshme në përputhje me parimet themelore të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Pamjet makabër të këtyre ditëve na kanë tronditur thellë e nxitur për të reaguar unanimisht në mbështetje të popullit izraelit. Ne besojmë në dialogun dhe paqen e qëndrueshme, në përputhje me parimet themelore të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkruan Gjylameti.
Ndër të tjera ajo thekson se, “qytetarët kanë të drejtën themelore të jetojnë në paqe, siguri dhe harmoni ndërfetare. Njëkohësisht të gjitha sulmet e Izraelit mbi spitalet e kampet e refugjatëve, duhet të ndalen menjëherë. Situata e skajshme e popullit të Palestinës duhet të përfundojë, sepse nuk meritojnë të paguajnë pasojat e akteve terroriste të Hamas”.
Deputetja Gjylameti nënvizon se Shqipëria është një shembull unik për harmoninë e besimeve të ndryshme, kultivimi i së cilës është një pasuri e jashtëzakonshme e identitetit tonë kombëtar.
“Jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në çdo moment dhe të përkushtuar të mbështesim përpjekjet për të sjellë paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme. Fëmijët, gratë, të moshuarit nuk meritojnë të vuajnë e të jetojnë në këtë situatë të tmerrshme. Njerëzit e pafajshëm nuk meritojnë furinë që sjell lufta”, përfundon komentin e saj Gjylameti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



