Përjashtimi i Bardhit, debate mes PD-së dhe ‘Rithemelimit’, Bejko: Aleancës së kullave i ka dalë boja

Politikë | 3 vite më parë

Debatet brenda PD-së kanë vijuar edhe të martën, pas vendimit të kryesisë së demokratëve, për të përjashtuar ish- Sekretarin e Përgjithshëm, Gazment Bardhi, nga rradhët e PD-së.

Nënkryetari i PD-së, Roland Bejko, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, u është përgjigjur deklaratave të kreut të ‘Rithemelimit’, Sali Berisha dhe ish- Sekretarit të Përgjithshëm të përjashtuar, të cilët e quajtën vendimin “një masë absurde”.

Sipas Bejkos, aleanca e kullave dhe ‘non grata’ nuk fshihet dot pas “llumit dhe shpifjeve”.

“Halli i madh i ka bërë të lëpijnë atë çfarë kanë pështyrë deri më sot, por ky nuk është halli i demokratëve dhe as i shqiptarëve. 14 maji dhe zgjedhjet e fundit në Kukës treguan se kush i shërben Edi Ramës, kush i garantoi fitore Edi Ramës, madje një fitore të tillë që as vetë s’e kishte imagjinuar”, shkruan Bejko.

Sipas tij, tashmë është fakt, se sa më shumë e shajnë dhe sulmojnë PD-në, aq më shumë përfitime, leje për pallate e resorte, prona e shpërblime të tjera me oligarkët e përbashkët marrin nga Rama.

“Shqiptarët tani e kanë të qartë, aleancës së kullave i ka dalë boja. Është nder për këtë vend të jesh në luftë me aleancën e korrupsionit madhor”, shkruan Bejko.

Përjashtimi i Bardhit

Bardhi e Berisha në përfundim të takimit të grupit të deputetëve të opozitës, deklaruan se strategjia e Kreut të PD, Lulzim Basha, për përjashtimin e deputetëve të PD-së është “absurde”.

Sipas Berishës, përjashtimi i Bardhit është dëshmi se “Lulzim Brava, për të mos përdorur një term tjetër që të mos e lëshoj gojën, nuk bën gjë tjetër, veç se lexon mesazhet apo fletushkat e Taulant Ballës”.

“Nuk ka asnjë lloj vlere, është një i keqpërdorur, por që gradualisht po kthjellohet çdo gjë, rreth një person që është i marrë peng në disa forma nga kjo qeveri”, tha Berisha.

Bardhi: Vendim shterpë

Ndërsa vetë Bardhi e ka cilësuar shterpë vendimin e Kryesisë së PD-së, e cila dje vendosi ta përjashtojë nga Partia Demokratike.

Ai e cilësoi Kryesinë e PD-së, me në krye Lulzim Bashën, një aleancë me një anëtarësi prej 15 vetash e vetëshpallur si e tillë që nuk merr vendime të tjera përveç përjashtimeve të deputetëve.

Bardhi u shpreh se akti më i rëndë i Bashës është se qëndron të krye të një partie që shumica nuk e do.

“Nuk ka përjashtim më të rëndë për një anëtar të PD-së, për një ish kandidat për kryeministër, sesa të shpallë non-grata shumica e deputetëve. Me shifrat e zotit Basha, besoj u habitët sesi me një të rënë të lapsit hoqën 50 mijë anëtarë të partisë sepse nuk deshën Bashën. Pastaj aktet e 15 vetave që janë vetëshpallur kryetarë kryesie merrini me të qeshur”, tha ai.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme