Igli Hasani: Sulmi serb në veri të Kosovës, kërcënim për vetë Evropën. BE dhe SHBA të veprojnë tani

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka deklaruar nga Kuvendi se sulmi i grupeve terroriste serbe në veri të Kosovës është një kërcënim për vetë Evropën.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të veprojnë tani për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosoës.
“Sulmi është një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët.
Vrasja e një polici në krye të detyrës e bën më të dhimbshëm dhe më tragjik këtë akt agresioni.
Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe shtetin e Kosovës që sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës.
Ndërkohë që bëhen përpjekje për të ndërtuar një të ardhme evropiane të begatë për të gjithë qytetarët e saj”, u shpreh Hasani gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ai bëri apel që autorët dhe organizatorët e këtij sulmi të vendosen përpara drejtësisë për mos lejuar përshkallëzimin e situatës.
“Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxirren sa më shpejt përpara drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të situatës me pasoja të pakthyeshme.
Qetësimi dhe de-përshkallëzimi i situatës tani është kyç dhe e vetmja rrugë përpara. Duke shpallur ditë zie për agresorët Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur”, theksoi Hasani.
Për këtë arsye, ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar se “ky është momenti që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë qartë dhe në mënyrë të vendosur nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në veri të Kosovës”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




