Anëtarësimi në BE, Bushati: Për suksesin e Procesit të Berlinit duhen afate të mirëpërcaktuara

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, është një nga politikanët që e njeh më mirë Procesin e Berlinit, si pjesëmarrës direkt që kur ai nisi të funksionojë dhe si ndjekës i tij për rëndësinë që i jep Ballkanit Perëndimor në raport me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Por zoti Bushati beson se takimi i Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë në mes të tetorit, do të ketë sukses, nëse, përveç mesazhit të qartë politik pro zgjerimit, do të përcaktojë edhe tre orientime të qarta.
“Në gjykimin tim, ky vizion do të përkthehet në 3 gjëra: në një proces anëtarësimi të besueshëm, që do të thotë një afat kohor; një afat kohor për përmbushjen e reformave, një plan i qartë financiar për vendet tona,” u shpreh zoti Bushati për emisionin “Pa Censurë”.
Ai i tha gazetares Elona Meço se përcaktues për këtë vizion do të jenë zgjedhjet për Parlamentin Europian vitin e ardhshëm.
Më poshtë një pjesë nga biseda me ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
Ditmir Bushati: Procesi i Berlinit nuk është një alternativë për zgjerimin, por lehtësim për zgjerimin. Procesi i Berlinit është e vetmja platformë rajonale ku të gjithë janë të barabartë, ku Kosova dhe Serbia janë ulur me simbolet e tyre në tryezë. E humbi shkëlqimin për shkak të dy tërmeteve, pandemisë dhe Ukrainës, por pas kësaj kemi rigjallërimin e Procesit të Berlinit. Me takimin që do të zhvillohet në Tiranë kemi mesazhin e qartë se e ardhmja e vendeve tona është brenda BE-së.
Elona Meço: Po, por këtë mesazh, ne e kemi marrë që në 2003-shin në Samitin e Selanikut. Kanë kaluar 20 vite dhe ende nuk po ndodh asgjë. Megjithatë, çfarë ka konkrete takimi i Tiranës, përveç simbolikave dhe mesazheve politike? Mund të ketë një politikë të re të BE-së për zgjerimin?
Ditmir Bushati: Mendoj që thelbësore do të jetë ndërlidhja më e mirë e këtij procesi me një vizion të anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Ju e thatë me shumë të drejtë. U bënë 20 vjet nga Samiti i Selanikut. Askush nuk e ka menduar që 20 vite ne nuk do të ishim pjesë e BE-së. Tani është shumë e rëndësishme që të kemi një vizion, i cili do të përkthehej, në gjykimin tim, në 3 gjëra: në një proces anëtarësimi të besueshëm, që do të thotë një afat kohor. Së dyti. Një afat kohor për përmbushjen e reformave dhe një plan i qartë financiar për vendet tona. Është shumë thelbësore të shohim zgjedhjet për në Parlamentin Europian dhe se çfarë Komisioni Europian do të kemi nga ato zgjedhje.
Elona Meço: Pra, nuk mund të marrim tani një afat?
Ditmir Bushati: Jo.
Elona Meço: Duhet të kalojnë zgjedhjet për Parlamentin Europian?
Ditmir Bushati: Po, duhet të shohim a do të ketë një komision zgjerimi, a të ketë një nga vendet kryesore të BE-së postin e komisionerit të zgjerimit dhe a do të kemi një buxhet të mirëpërcaktuar për procesin e zgjerimit, për ta finalizuar atë që mund të konsiderohet BE me më shumë se 30 shtete.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




