Forumi Dialogu Global në Berlin, Rama: Të përshpejtohet futja e Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministri Edi Rama, i ftuar për bashkëbisedim në forumin e ri ndërkombëtar “Dialogu Global në Berlin”, u ndal te integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas kryeministrit, procesi i futjes së vendeve të rajonit në BE duhet përshpejtuar.
Teksa siguroi se vendi ynë është totalisht i orientuar drejt komunitetit euroatlantik, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka më shumë ndikim rus.
“Kompleksiteti i Ballkanit Perëndimor është një tjetër arsye pse procesi i futjes së duhet përshpejtuar. Ne jemi në mes të shumë aktorëve, nuk po flas për Shqipërinë sepse Shqipëria është shumë e qartë, jemi 100% të orientuar për nga komuniteti euroatlantik, por në vendet e tjera kemi më shumë prani dhe ndikim rus dhe kjo duhet zbutur plotësisht duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE. Ajo që Ballkani Perëndimor mund t’i sjellë BE, do të jetë një vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë,” tha Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria po vijon me punën për përmbushjen e kërkesave nga BE, duke e konsideruar Unionin si model për ndërtimin e një shteti funksional.
“Agresioni rus i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe rëndësinë Ballkanit Perëndimor për BE. Por nga ana tjetër BE ka problemet e veta që ne i njohim shumë mirë. Ndonjëherë na duket sikur duke qenë të uruar për shkak të historisë tonë traumatike, duke parë BE si psikolog, shohim që edhe psikologu është i traumatizuar. Nuk di të them për data sepse nuk di nëse BE ka kapacitetin të vendosë një afat dhe të respektohet më pas. Ne jemi tërësisht në paqe me veten që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë sepse BE është burimi më i jashtëzakonshëm i njohurive në ndërtimin e shtetit.
Nëse ka një dallim thelbësorë në BP që nuk kanë një traditë të shtetit funksional dhe jo më një demokraci funksione, dallimi është që ne kemi Bashkimin Evropian që është një burim i jashtëzakonshëm dije në këtë drejtim. Më duhet të rrëfej se jam ndjerë përherë i traumatizuar nga procesi i pafund i çeljes së bisedimeve për anëtarësim sepse ishte shumë e vështirë të gjeje një ekuilibër mendje përballë BE kur thoshte ju duam, por nuk duam të flasim. E rëndësishme është që dashuria jonë për BE është e pakushtëzuar,” tha Rama.
Ndalur te ekonomia, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh vendet e rajonit kanë nevojë për më shumë mbështetje financiare nga BE edhe pse nuk janë ende anëtare. Po ashtu, Rama bëri foli edhe në lidhje me objektivin përtë shndërruar Shqipërinë në eksportues neto të energjisë brenda vitit 2030.
“Na duhet të përballemi edhe me kushte që ndonjëherë janë të padrejta sepse ne nuk jemi anëtarë. Ne na kërkohet të bëjmë atë që anëtarët kanë, ndërkohë që anëtarët kanë kaq shumë mbështetje financiare nga BE që ne nuk e kemi. Kur vjen fjala te energjia, ne ndjehemi të bekuar. Kemi energjitë ripërtëritshme 100%. Kjo ka dhe mallkimin e vet sepse kur mungojnë reshjet për një farë kohë, ne vuajmë me mungesën e ujit për të prodhuar energjinë. Kjo është arsyeja pse kemi marrë një proces diversifikimi. Po hyjmë në energjinë e erës. Shqipëria ende nuk ka gazin si burim të ekonomisë së vet, por planifikojmë që të jemi eksportues neto të energjisë brenda vitit 2030. Kemi dhe një zbulim me potencial të jashtëzakonshëm që po presim nga Shell për naftë dhe gaz. Kjo përbën potencial për vendin që të shndërrohet në qendër energjetike për Ballkanin Perëndimor,” theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




