“KFOR-i të marrë kontrollin e veriut”/ Albin Kurti, Ramës: Policia përgjigjet kudo e para

Kosovë | 3 vite më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur kryeministrit shqiptar Edi Rama pas deklaratës së këtij të fundit ditën e sotme se “KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës”.

Në një intervistë për median boshnjake “Istraga.ba”, Kurti ka theksuar se Kosova përgjatë kufirit me Serbinë ka nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë Policinë dhe KFOR-in.

Por sipas tij, kjo nuk mund të ndryshojë protokollin, që parashikon se Policia e Kosovës është njësia e parë që reagon, më pas vjen EULEX-i dhe KFOR-i.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

Për sa i përket çështjeve të tjera, protokolli është vendosur tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i.

Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet”- ka thënë ndër të tjera Kurti për “Istraga.ba”.

Ndërkaq, në një konferencë me gazetarët, Rama deklaroi se KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës pas sulmit të armatosur të grupeve serbe ndaj Policisë së Kosovës. 

“Minimalisht, formati i derisotëm i Brukselit, ku vejnë e vijnë dy burra nga këndej dhe hyjnë e dalin dy burra nga atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo minimalisht është e qartë. Gjerat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt.

Prandaj, jo vetëm niveli i përfaqësimit i nivelit euroatlantik në dialog duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet patur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve të pazbatuara, vonesa e këtij hapi mund të sjellë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur dhe për të parandaluar këtë konflikt, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Është një propozim që e kam bërë edhe në Samitin e NATO-s. Tani çdo hezitim dhe vonesë, deri me argumentin e orëve të fundit jo kemi jo s’kemi mjaftueshëm trupa, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme