Dialogu Kosovë Serbi/ Rama: Duhet ngritur niveli i përfaqësimit euroatlantik. KFOR-i të marrë kontrollin në veri

Kosovë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Brukselit që të ndryshojë formatin e ndërmjetësimit të dialogut mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë Shqiptare theksoi se nevojitet që të ngrihet më lart niveli i përfaqësimit euroatlantik në dialog. Rama theksoi se një hap i tillë duhet marrë shpejt, duke paralajmëruar për një skenarë tragjik në rast të kundërt.

Po ashtu, Rama propozoi që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

“Minimalisht, formati i derisotëm i Brukselit, ku vejnë e vijnë dy burra nga këndej dhe hyjnë e dalin dy burra nga atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo minimalisht është e qartë. Gjerat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Prandaj, jo vetëm niveli i përfaqësimit i nivelit euroatlantik në dialog duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet patur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve të pazbatuara, vonesa e këtij hapi mund të sjellë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur dhe për të parandaluar këtë konflikt, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë edhe në Samitin e NATO-s. Tani çdo hezitim dhe vonesë, deri me argumentin e orëve të fundit jo kemi jo s’kemi mjaftueshëm trupa, mund ta bëjë ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme