Zgjedhjet në Kukës/ Basha do ketë dy anëtarë në KZAZ dhe sekretarin

Politikë | 3 vite më parë

Pak ditë para zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Kukës, komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor është riformatuar, rrjedhimisht edhe komisionet e qendrave të votimit bashkë me grupet e numërimit të votave. 

Ndryshimet erdhën menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sipas të cilit Partia Demokratike e Lulzim Bashës tashmë do të ketë dy anëtarë në KZAZ bashkë me sekretarin e KZAZ. 

Ky vendim u reflektua menjëherë në KZAZ Kukës i cili ka rinisur procedurat për përgatitjen e infrastrukturës dhe procesin zgjedhor të 24 shtatorit. 

“Është bërë zëvendësimi i nënkryetarit, duke ia dhënë Partisë Demokratike, edhe sekretarin njëkohësisht. Vijon puna për ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit me ndryshimet që janë bërë dhe brenda orës 12 të ditës së sotme mbarojnë të gjitha KQV-të dhe GNV-të,” shpjegon Sait Doçi, kryetar i KZAZ-së në Kukës.

Kryetari i KZAZ-së Sait Doçi tha se janë drejt përfundimit të verifikimit të listave të subjekteve politike me propozimet përkatëse për anëtarët e KQV-ve dhe grupeve të numërimit, të dorëzuar nga dega e PD-së Kukës. 

Paralelisht janë bërë inspektimet e nevojshme në 73 qendrat e votimit të cilat do të hapen në orën 7:00 të datës 24 shtator, orë në të cilën nis zyrtarisht procesi i votimit. 

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit janë në garë dy kandidatë, përkatësisht Albert Halilaj i PS-së dhe Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. 

Në këto zgjedhje janë regjistruar në listë rreth 46 mijë qytetarë të bashkisë Kukës.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme