Konferenca e Kryetarëve/ Bardhi: U rrëzuan kërkesat e opozitës. Emri i kryetarit të grupit parlamentar të PD, i qartë

Politikë | 3 vite më parë

“Opozita ka marrë përgjegjësitë e veta për mosrealizimin e reformës zgjedhore, kështu ka deklaruar Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi pas mbledhjes së  Konferencës së Kryetarëve, ku kjo e fundit rrëzoi kërkesën për të riformatuar komisionin e posacëm parlamentar për reformën zgjedhore.

“Ne si opozitë, kemi marrë përgjegjësitë tona, sa i takon mosfunksionimit të komisionit dhe mosrealizmit të reformës zgjedhore. Kemi propozuar një projekt vendim të ri për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, vetëm me 2 ndryshime që në objektin e punës së komisionit, të përfshihet edhe raporti i pritshëm i OSBE ODIHR për zgjedhjet lokale, dhe të kërkojmë ekspertizën e përhershme të ODIHR që të asitojë këtë komision të posaçëm. Për këtë kërkesë tonën, mazhoranca votoi kundër” tha Bardhi.

Bardhi tha se nesër në seance plenare do të kërkojë miratimin e kësaj kërkese, me argumentin se komisioni aktual në më shumë se 1 vit ka dështuar për realizimin e reformës.

“Nesër që në mëngjes, do t’i drejtohemi me një kërkesë, kryetares së Kuvendit për të ndryshuar rendin e ditës, për të përfshirë në rend dite, edhe një projekt vendim sa i përket përbërjes së re të komisionit të reformës zgjedhore, Ne kemi vendosur të ndryshojmë përbërjen, edhe si mesazh që nuk e pranojmë dot, që për 1 vit e gjysmë, një nga çështjet më të rëndësishme për  yqytetarët, siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të lihen pa trajtuar”, tha ai.

Po ashtu, Bardhi tha se sot kishte depozituar pranë Kuvendin, firmat e 28 deputeteve që njohin atë si drejtues grupi. 

“Deputetët e grupit parlamentar të PD-së, 28 prej tyre e kanë njoftuar kryetaren e Kuvendit se kush është kryetari i grupit”, tha Bardhi.

Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, është përballur me një situatë të pazakontë. Shkak për këtë është bërë fakti se si kryetarë, në emër të grupit parlamentar të PD-së, janë paraqitur dy deputetë të opozitës, përkatësisht Gazment Bardhi dhe Flutura Açka.  

E gjendur përpara kësaj situate, deputetja Açka është larguar nga mbledhja duke lënë të kuptohet se Kuvendi duhet të shprehet nëse njeh Bardhin si kryetar të grupit të PD-së apo atë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme