Shqipëria kryeson takimin e Këshillit të Sigurimit në OKB, Rama: Lufta e Ukrainës, problem i të gjithëve

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku kryeministri Edi Rama po drejton Debatin e Hapur të Nivelit të lartë me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”. Në tryezë merr pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski (o. Volodymyr Zelensky) dhe 50 krerë të shteteve të OKB-së.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama dënoi pushtimin rus të Ukrainës, teksa tha se ky agresion nuk është vetëm problem i Evropës, por i të gjithë botës për shkak të impaktit të saj.
“Një agresion në zemër të Evropës nuk mund të jetë vetëm problemi i Evropës siç disa mendojnë e thonë. Cinikët mund të mendojnë se ky është një problem që i ka rënë për hise Perëndimit. Kjo luftë agresioni duhet të jetë një punë për të gjithë. Ndërkohë që flasim, më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur. Nesër numri do të jetë më i lartë e do të rritet çdo ditë për aq kohë sa të vazhdojë kjo luftë. Duke patur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore që vjen hera herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë, largqoftë, kjo çmenduri të shndërrohet në diçka edhe më të keqe dhe mos harroni që është po aq e paimagjinueshme sot saç ishte një luftë e tillë dje. Kemi detyrën të ndihmojmë ata që janë në nevojë në këtë drejtim, Ukrainën dhe ukrainasit,” tha Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se është me rëndësi që të pranohet me zë të lartë se në këtë luftë është Rusia agresori dhe Ukraina viktima.
E kundërta, siç u shpreh Rama, është e rrezikshme për të gjithë.
“Mund të kemi dallime për mënyrën si të mbështesim Ukrainën në luftën e vet, mund të kemi pikëpamje të ndryshme për mënyrën si duhet të përfundojë kjo luftë, le t’i diskutojmë, por do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate në qoftë se nuk pranojmë njëzëri dhe ta themi me zë të lartë kush është agresori dhe kush është viktima e agresionit. Nëse nuk pranojmë këtë të vërtetë të qartë si kristali, jo vetëm që po zhgënjejmë Ukrainën, por edhe nuk po përmbushim përgjegjësinë tonë, po komprometojmë të ardhmen dhe po tradhtojmë fëmijët tanë nga të gjitha anët. Lufta e Ukrainës është një luftë ndaj gjithkujt ku tërësia territoriale është e patjetërsueshme, e kundërta është e rrezikshme për të gjithë që janë në këtë çati. Shqipëria është një vend i vogël dhe mbështetja jonë për Ukrainën mund të mos ndryshojë dinamikën në fushëbetejë por shërben për të mos pranuar agresionin e për të mos e lënë atë çka është e qartë të shndërrohet në diçka të dyshimtë”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



