I ndërprenë fjalën/ Veliaj opozitës në Këshillin Bashkiak: I keni alergji shkollat e reja, ndaj u rrahët me 60 mijë vota në Tiranë

Politikë | 3 vite më parë

Në mbledhjen e kësaj të premteje të Këshillit Bashkiak të Tiranës, këshilltarët e opozitës i ndërprenë disa herë fjalën kryebashkiakut Erion Veliaj, teksa ai po fliste për ndërtimin e shkollave të reja dhe investimet në arsim.

Veliaj u kërkoi këshilltarëve të opozitës që të respektojnë rregulloren e Këshillit Bashkiak.

Sipas tij, opozita i ka alergji shkollat e reja dhe nuk do të dëgjojë për to sepse nuk ka ndërtuar asnjë shkollë në Tiranë dhe se për këtë arsye Tirana i ndëshkoi në zgjedhje.

“Rregullorja ka sanksione për ata që ndërpresin fjalën. Unë e di se është shumë e vështirë që të humbasësh me 60 mijë vota, është e pagëlltitshme.

Por, është një ‘zhavorr’ që duhet ta gëlltisni. E kuptoj se është e dhimbshme. ‘Zifti’ i 60 mijë votave mezi tretet. E di që ndoshta, e keni bezdi të dëgjoni për shkollat e reja, sepse ata që s’kanë prekur një punë me dorë, që s’kanë ndërtuar një shkollë.

Keni alergji sa herë flas unë për shkollat. U rrahët si “gamori në duhon” me 60 mijë vota, ndaj duhet të dëgjoni kur flasim për shkollat. Nëse do flisni si rrugeçër, do merrni të njëjtin rezultat. Si ta keni, njerëzit kanë alergji nga kjo rrugaçëri. Unë ju rrah edhe herën tjetër”, tha Veliaj.

Veliaj siguroi se ka gjetur zgjidhje për shumë problematika të bartura për ndërtimet private pranë shkollave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme