Ndryshimet në qeverinë Rama, Berisha: Ikën mëkatarë, erdhën mëkatarë!

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i grupit demokrat, nuk ka asnjë shpresë se qeveria e pasardhësit të tij, Edi Rama, mund të ndryshojë për mirë.
Në mbledhjen e përjavshme me gazetarët, Berisha komentoi lëvizjet në kabinetin qeverisës.
Ai tha se nuk ka fjalë të mira për drejtuesit e rinj të dikastereve të ekonomisë (Ervin Mete), diplomacisë (Igli Hasani), shëndetësisë (Albana Koçiu) dhe pushtetit vendor (Arbjan Mazniku).
“Zëvendësimet: [Edi Rama] u tha shqiptarëve se jeni të pashpresë në qoftë se s’merrni në dorë fatin tuaj. Dhe kë solli në qeveri? Solli përfaqësuesin zyrtar të ‘Ndrangheta-s në Tiranë, [Arbjan] Maznikun, njeriun që ka pasur kontakt me bosin e Veronës. Arbjan Mazniku është ikona më e shëmtuar e zyrtarit të babëzitur që merrte dymbëdhjetë rroga si kryetar bashkie.
Po Koçiu? Ajo është e regjistruar se merr para. Dhe SKAP-i i ka të gjitha këto, për të mos thënë problemet e tjera. [Ervin] Mete ishte ‘refugium peccatorum’ i mëkatarëve të Arben Ahmetajt. Çfarë vidheshin këtu strehoheshin atje.
Për ministrin e jashtëm nuk mund të flas, por ka bërë një gabim fatal që ka pranuar t’i shërbejë një njeriu që nuk ka interes publik e kombëtar përveç interesave personale. Të bëhesh ministër i Jashtëm i njeriut më të diskredituar, më të pakarakter në rajon, njeriut të cilit mandati i qëndron mbi krimin, drogën dhe vjedhjet, merr përsipër të ndëshkosh veten tënde gjithë jetën. Nuk e njoh, por fakti që ka pranuar të marrë Ministrinë e Jashtme nën Edi Ramën flet shumë për të.
Për ndryshimet e qeverisë: ikën mëkatarë, erdhën mëkatarë, ikën të korruptuar, erdhën të korruptuar,” deklaroi Berisha.
Në Asamblenë e fundit të Partisë Socialiste, ish-kryeministri Berisha tha se nuk kishte në asnjë fjali urrejtjeje për të personalisht, por kryeqeveritari Rama sulmoi të tijët.
“Në qoftë se do të lexoni fytyrat e asambleistëve, do të shihnit terrorin që ai ushtroi mbi ta,” u shpreh Berisha.
Kryedemokrati komentoi edhe takimin e ditës me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Bashkë diskutuam të gjitha problemet e opozitarizmit të sotëm, parlamentar e joparlamentar, dhe ramë në ujdi që të vazhdojmë bashkërendimin e përpjekjeve tona në interesin më të mirë të shqiptarëve,” tha ish-kryeministri Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




