Kuvendi/ Gogu: Prioritet i sesionit, agjenda e integrimit në BE, por s’kemi konsensus

Politikë | 3 vite më parë

Shumica dhe pakica qeverisëse nuk kanë qëndrim se cilat duhet të jenë prioritetet e sesionit të ri parlamentar që nis më 4 shtator.

Konferenca e Kryetarëve të partive parlamentare të premten nuk gjeti konsensus për kalendarin trejavor dhe programin e punës së Kuvendit të Shqipërisë.

Toni Gogu, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tha se tani që institucionet europiane po hedhin idenë e një zgjerimi të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor nga viti 2030, cilido e di se tashmë agjenda politike është e qartë: rruga drejt integrimit në BE.

“Tashmë e di çdo shqiptar që edhe nga Brukseli është caktuar një datë për anëtarësimin, e kemi 2030-ën dhe kjo gjë nuk pret. Fatkeqësisht nuk arritëm konsensus për shkak se kolegët e opozitës përpiqen që Kuvendin ta trajtojnë si një shesh për të sjellë përsheshet e tyre. Kishin gjetur një kazus, se duheshin diskutuar çështjet e zgjedhësve, ndërkohë që zgjedhësit e dinë shumë mirë se kush ka qenë me ta,” u shpreh Gogu.

Partia Demokratike, si grupimi më i madh opozitar, mbetet i ndarë mes disa grupimeve, por socialisti Gogu u shpreh se ata do të negociojnë me kolegët për interesin më të mirë.

“Me opozitën, ne jemi kolegë jo për të bërë pazare, por si bashkëpunëtorë pune. Për agjendën 2020–2030 është bërë një punë e shkëlqyer për çeljen e grup-kapitujve. Kështu që kushdo të jetë gati nga kolegët e opozitës, që do e mbështesë agjendën e anëtarësimit, që shqiptarët të mbërrijnë një orë e më parë në atë realitet të mohuar nga historia, rrethanat, keqdrejtimi, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta,” deklaroi deputeti Gogu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme