Tabaku: Inceneratorët, manuali i një shteti të kapur nga koka tek këmbët

Politikë | 3 vite më parë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, deklaroi të shtunën se kushdo që hedh sytë në dosjet e hetimeve për inceneratorët, “vëren manualin e një shteti të kapur nga koka tek këmbët”.

 

Nëpërmjet një shkrimi në faqen e saj në Facebook, Tabaku nënvizon se prej ditës së djeshme, historia politike e Shqipërisë nuk është më e njëjtë, pasi, sipas saj, për herë të parë në tridhjetë vite, një zëvendës kryeministër është përpara bankës së të akuzuarve, për një aferë që shqiptarëve u kushton 430 mln euro.

 

“Për katër vite me radhë historia e inceneratorëve u injorua dhe denoncuesit e tyre kryesorë u sulmuan nga qeveria ndërsa mediat pranë saj injoronin apo sulmonin këdo që denonconte. Në një shtet të kapur, paraja dhe pushteti kanë një marrëdhënie tejet të ngushtë me njëra tjetrën. Sa më shumë pushtet të kesh aq më shumë para fiton dhe aq më shumë përpiqesh të paguash avokatë publikë për të zeruar kundërshtarët politikë.

Fatkeqësisht, pushteti i mazhorancës dhe paraja e inceneratorëve krijoi imazhin dhe idenë se në të vërtetë Shqipëria po pastrohej dhe se denoncimet e opozitës dhe kujtdo tjetër nuk qenë vetëm se shpifje.”- shkruan Tabaku.

 

Sipas saj, mazhoranca, që sot përpiqet të përfitojë nga gjoja mbështetja për Reformën në Drejtësi, qe e para që sulmoi dhe pengoi hetimin parlamentar për aferën e inceneratorëve.

 

Tabaku thekson se vetë kryeministri në çdo dalje publike ka mbrojtur me figurën e tij, por edhe me zërin e tij në replika drejtuar gazetarëve, por edhe opozitës, inceneratorët dhe procedurat e tyre duke deklaruar se atij i interesonte pastërtia që ato sillnin. 

 

“Historia e inceneratorëve është gjithashtu dhe tragjedia e vendit tonë që zbrazet përditë nga talentet dhe të zotët pasi meritokracia e kësaj qeverie është e përmbysur. Asnjëherë nuk fiton i afti dhe i zoti në punë, por ai që është sekseri i korrupsionit. Ndershmëria është kthyer në një ves për këtë qeveri ndërsa parlamenti mblidhet një herë në vit për të shqyrtuar mandatet e një deputeti të lidhur me afera apo diçka tjetër. Për këtë krizë, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri nuk ka guximin të flasë dhe as të japë zgjidhje. Pasi janë ata që kanë ndikuar për të forcuar edhe më tej sistemin e tarafeve dhe të një mobiliteti social jo në bazë të meritës por në bazë të aftësive të brokerimit të korrupsionit. Për këtë mjafton të shihni historinë e inceneratorëve dhe lidhjet e tyre se si kanë gjunjëzuar një shtet të tërë.”- shkruan Tabaku.

Ajo thekson se nevoja e shqiptarëve është që të bashkohen drejt një opozite e cila nuk është më perfektja, por që edhe në mungesë të përsosmërisë ka treguar se është e denjë të drejtojë beteja të guximshme që kanë arritur deri këtu dhe me gjasë edhe më shumë. 

 

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme