Tre kapituj të tjerë në shqyrtimin e BE-së, Shqipëria synon të mbyllë gjashtë deri në fund të vitit

Europë | 1 minutë më parë

Vetëm pak ditë pasi Komisioni Europian publikoi gatishmërinë e tij që Shqipëria të përmbyllë kapituj të tjerë deri në fund të këtij viti, vendi ka avancuar një tjetër hap drejt mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.

Tre kapituj janë përfshirë në axhendën e grupit të punës për zgjerimin, COELA, në Këshillin e BE-së, ku do të shqyrtohen projektqëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare.

Bëhet fjalë për kapitullin 6, për të drejtën e shoqërive tregtare; kapitullin 7, për pronësinë intelektuale; dhe kapitullin 13, për peshkimin dhe akuakulturën.

Dokumenti i Këshillit, i datës 12 nëntor, parashikon diskutimin e këtyre tre kapitujve në mbledhjen e 13 nëntorit.

Ky është një hap procedural në procesin e shqyrtimit nga vendet anëtare, duke sinjalizuar plotësimin e procedurave për mbylljen e tyre.

Pas diskutimeve në COELA, procesi duhet të avancojë në strukturat e tjera të Këshillit, përpara se mbyllja e përkohshme të konfirmohet në konferencën ndërqeveritare.

Lëvizja vjen në kuadër të përgatitjeve për përmbushjen e kalendarit të Komisionit Europian, i cili parashikon mbylljen e gjashtë kapitujve deri në fund të vitit 2026. Krahas tre kapitujve në diskutim, në këtë listë përfshihen edhe politika ekonomike dhe monetare, rrjetet transeuropiane, si dhe politika e jashtme dhe e sigurisë.

Kryenegociatorja Majlinda Dhuka i konfirmoi hapat e Shqipërisë në komisionin parlamentar përkatës, konkretisht për pesë kapituj: shoqëritë tregtare, pronësinë intelektuale, rrjetet transeuropiane, peshkimin, si dhe politikën ekonomike dhe monetare.

Pas mbylljes së katër kapitujve të parë, nëse deri në fund të vitit arrihet mbyllja edhe e gjashtë kapitujve të tjerë, bilanci do të përputhet me objektivin shqiptar dhe europian për 10 kapituj të mbyllur.

Megjithatë, pas shqyrtimit në hallkat përkatëse, mbyllja e tyre duhet të miratohet me unanimitet nga vendet anëtare në Këshillin Europian, pasi Komisioni Europian të ketë konfirmuar përmbushjen e kritereve dhe verifikimin e tyre nga BE-ja.

Për Shqipërinë, sfida tashmë mbetet që përgatitjet teknike të përkthehen në vendime konkrete nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gazetare : Entela Komnino

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme