Zgjedhjet e 23 korrikut në Rrogozhinë, Komisioni Rregullator miraton afatet proceduriale

Politikë | 3 vite më parë

Komisioni Rregullator në seancë publike miratoi disa afate proceduriale që lidhen me përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar në Bashkinë Rrogozhinë, që do të zhvillohen më datë 23 Korrik 2023.

Sipas Komisionit, fushata zgjedhore për zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, do të fillojë më datë 10 Korrik 2023.

“Bashkia Rrogozhinë dhe institucionet e saj të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 10 Korrik 2023 deri ditën e zgjedhjeve. Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 10 Korrik 2023 deri ditën e zgjedhjeve, në territorin e Bashkisë Rrogozhinë ose për të.”- thuhet në vendimin e Komisionit Rregullator.

Sipas ligjit, raportimi duhet të kryhet jo më vonë se tre ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Mediave Audiovizive do të monitorojë OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike nga data 10 Korrik 2023, nga ora 08:00-00:00 ose sipas rastit deri në përfundimin e programit.

Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë kandidaturat në KZAZ-në përkatëse, jo më vonë së data 13 Korrik 2023.

KZAZ-ja do të marr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve brenda 48 orëve nga data e dorëzimit të propozimeve.

“Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë kandidaturat në KZAZ, jo më vonë së data 17 Korrik 2023. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, brenda 48 orëve nga data e dorëzimit të propozimeve.”- njofton Komisioni Rregullator.

Kurse paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë e të huaj do të bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 17 Korrik 2023.

Ndërsa paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje do të bëhet në KZAZ jo më vonë se data 18 Korrik 2023.

“Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit. Monitoruesit e fushatës zgjedhore të angazhohen nga data 10 Korrik deri në përfundim të procesit të votimit më datë 23 Korrik 2023.”- theksohet në vendim.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme