Berisha-qeverisë: Pr.ligji për studentët e mjekësisë ka në themel vjedhjen

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se qeveria me vendimin e saj për studentët e mjekësisë ka në themel vjedhjen e shumave kolosale.
Sipas Berishës, pr.ligji për studentët e mjekësisë është marrë hua nga Kuba aktuale, dhe se shkatërron bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët, Fakultetin e Mjekësisë.
“Para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme, kundër një akti absurd që revokon kohëra të shkuara më të zeza të këtij vendi, studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Ju me procedurë të përshpejtuar jashtë çdo lloj standardi të ligj bërjes, keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas, një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri, që ëndërron të bëhet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni, edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë, fakultetin e Mjekësisë.
Ky ligj, i marrë hua nga Kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Ai ka në themel vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni. KLSH faktoi se vetëm në një vit, keni vjedhur dhe shpërdoruar 138 miliardë lekë vetëm në një vit, keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilat mund të rriteshin rrogat së paku me 170 % të shqiptarëve”, akuzoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




