Rama nga Maqedonia e Veriut: Rajonit i duhet mbështetje konkrete! Së shpejti takim informal në Tiranë me miqtë e BE

Nga Shkupi, ku u ndal për vizitën e parë në kuadër të turit ballkanik që ka nisur, kryeministri Edi Rama ka kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Rama tha se pret që Samiti i Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, të shënojë hapa konkret, teksa theksoi se rajoni ka nevojë për mbështetje dhe nisma konkrete.
Ai bëri me dije se në Tiranë do të zhvillohet shumë shpejt një takim informal me “miqtë e BE”.
“Patën një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mikpresë Smitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe kur qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete për të cilat po punojmë me kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me KE në Bruksel. Është bërë e qartë për të gjithë ne dhe në këtë pikë kemi dakordësi të plotë se hendeku midis vendeve anëtare të BE dhe vendeve tona, në aspektin e mbështetjes financiare të BE është i pakrahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Europa e tërë të jetë më kompakte. Kjo është arsyeja pse ne prej disa kohësh filluam të shtymë në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin që të çojmë para këtë qëllim tonin të përbashkët duke furnizuar partnerët tanë me argumente konkrete dhe shifra konkrete.
Ka plot sfida të përbashkëta që kërkojnë një qasje të përbashkët ndaj qytetarëve të cilët nuk mund të jenë qytetar të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë. Ajo që vendet e BE marrin nga BE është e pakrahasueshme me atë që ne mund t’i vëmë në dispozicion qytetarëve me burimet e brendshme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një bilanc shumë kuptimplotë në raportin e tyre në BE, sa i përket linjëzimit të plotë 100% me politikën e jashtme të BE. Lajmi i mirë është se KE, siç e ka shprehur edhe Presidentja von Der Leyen po punon në këtë drejtim dhe do kemi një takim informal në Tiranë, për të diskutuar konkretisht mbi planin. Na duhet ky plan e kjo mbështetje. BE ka nevojë për ne, sa kemi ne nevojë për BE”, tha Rama.
Pas Maqedonisë së Veriut, Rama do të udhëtojë drejt Kosovës, ku do të takojë Presidenten Vjosa Osmani, ndërsa ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




