Turi ballkanik i Ramës/ Publikohet axhenda e plotë, ende s’ka konfirmim të takimit me Kurtin

Është publikuar axhenda e plotë e turit ballkanik të kryeministrit Edi Rama, që nis këtë të enjte (6 korrik). Kryeministri Rama do të ndalet sot në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ku janë planifikuar edhe takime me drejtuesit e të dy vendeve.
Sipas anxhendës, në orën 11:00 është planifikuar një takim mes Ramës dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në orën 11:15 do të ketë një takim të delegacioneve të të dy vendeve.
Më pas, në orën 12:00, Rama dhe Kovaçevski do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Pas Maqedonisë së Veriut, Rama do të ndalet në Kosovë, ku në orën 16:00 do të zhvillojë një takim bilateral me Presidenten Vjosa Osmani.
Në axhendë përmendet edhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por që është ende i pakonfirmuar. Kujtojmë se të mërkurën (5 korrik) Kurti kërkoi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy vendeve, që u anulua pak javë më parë, duke theksuar se në të kundërt nuk do të ketë më takime të tjera mes tij dhe Ramës.
Të premten (7 korrik) Rama do të ndalet në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të zhvillojë në orën 10:55 një takim me Kryetaren e Këshillit të Ministrave. Më pas, në orën 11:40, do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp e tyre.
Në orën 13:45 është planifikuar një takim tetë-a-tetë mes Ramës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, teksa në orën 15:40 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Më pas, Rama do të udhëtoj drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp.


Axhenda e turit ballkanik të Ramës
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




